

Një ditë pas përplasjes së armatosur në Radhimë, biznesmenët Vasil Bedinaj dhe Luan Muça kanë dhënë versionet e tyre për ngjarjen, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur shkakun dhe rrethanat e konfliktit.
Përplasja ndodhi në ambientet e hotelit “Regina” në pronësi të Vasil Bedinajt dhe u shoqërua me arrestimin e biznesmenit Luan Muça, pronar i “Delta Group”. Në pranga janë vendosur gjithashtu Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, Blerim Heta, 40 vjeç dhe Angjelo Breshani, 29 vjeç.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim gjashtë persona të tjerë, mes tyre edhe Bujar Muçën, vëllain e biznesmenit Luan Muça, i cili dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit.
Bedinaj: Më kërkuan 5 milionë euro dhe më dhanë 48 orë
Para hetuesve, dy biznesmenët kanë dhënë versione të ndryshme mbi motivin dhe zhvillimin e përplasjes.
Vasil Bedinaj ka qëndruar te deklarimet e bëra menjëherë pas ngjarjes, duke pretenduar se konflikti ka nisur pasi Luan Muça i ka kërkuar 5 milionë euro dhe i ka dhënë një afat prej 48 orësh për t’u larguar nga Shqipëria.
Sipas Bedinajt, ai e kishte menduar takimin si një bisedë për çështje biznesi, pasi Muça ushtron aktivitet në sektorin e hidrosanitareve.
“Mendova se do të takoheshim për çështje biznesi, pasi ai merret me hidrosanitare. Ndërkohë që kam qenë vetëm në ‘Regina Palm’, Luani ka ardhur dhe ka thënë: ‘Dua 5 milionë euro dhe ke afat 48 orë të zhdukesh nga Shqipëria’.”
Bedinaj pretendon se më pas disa persona i janë afruar dhe nuk e kanë lejuar të largohej, ndërsa punonjës të stafit, sipas tij, janë mbajtur nën kërcënimin e armëve.
Ai ka deklaruar gjithashtu se është goditur në kokë nga disa prej personave që shoqëronin Muçën.
Muça: Nuk kam vendosur gjobë
Nga ana tjetër, Luan Muça ka mohuar pretendimet e Bedinajt.
“Nuk kam vendosur gjobë”, ka deklaruar biznesmeni, ndërsa sipas tij dhe dy personave të arrestuar, Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, konflikti lidhet me një çështje pronësie dhe jo me një kërkesë për para.
Prona në Palasë, në qendër të hetimit?
Sipas burimeve të cituara nga “Zëri”, një prej pistave që po hetohet për motivin e konfliktit lidhet me një sipërfaqe toke në Palasë, ku dyshohet se është planifikuar ndërtimi i një resorti nga pronari i “Delta Group”.
Bëhet fjalë për një pronë mbi të cilën, sipas të dhënave të bëra publike, të dyja palët pretendojnë të kenë të drejta.
Sipas të njëjtave burime, Luan Muça e ka blerë tokën dhe ka siguruar edhe dokumentacionin e pronësisë. Ndërkohë, Vasil Bedinaj ka blerë një sipërfaqe pranë kësaj prone dhe dyshohet se një prej parcelave të blera prej tij mund të ketë mbivendosje me pronën për të cilën Muça pretendon se ka dokumentacion pronësie.
Pikërisht kjo çështje pronësie është një prej pistave që pritet të verifikohet nga hetuesit për të përcaktuar nëse ka lidhje me konfliktin e armatosur në Radhimë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive për përplasjen.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






