

Pëllumb Lleshi, një shtetas shqiptar i dënuar me 19 vite burg për vrasje në Shqipëri, ka humbur betejën ligjore për të bllokuar ekstradimin e tij nga Anglia drejt Shqipërisë.
Lleshi u arrestua më 10 dhjetor 2024 në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Tirana.
Sipas vendimit të City of Westminster Magistrates’ Court, të siguruar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, gjykata ka pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij, në mënyrë që të vihet në dispozicion të drejtësisë shqiptare për të vuajtur dënimin prej 19 vitesh burg, të dhënë në mungesë.
Në proces, gjykata ka pranuar argumentet e përfaqësueses së autoriteteve shqiptare, Amanda Bostock, ndërsa argumentet e avokatëve Joel Smith KC dhe Louisa Collins, të cilët mbronin Pëllumb Lleshin, nuk kanë bindur gjykatën për të ndaluar ekstradimin.
Vendimi i gjykatës tashmë i është përcjellë për shqyrtim sekretares së shtetit, Shabana Mahmood.
I dënuar për vrasjen e Bilbil Hilës në Greqi
Sipas dokumenteve gjyqësore, çështja ndaj Pëllumb Lleshit lidhet me vrasjen e emigrantit shqiptar Bilbil Hila, e ndodhur më 24 nëntor 2003 në zonën “Anaviso” në Greqi.
Në mars të vitit 2011, Gjykata e Elbasanit shpalli fajtor Pëllumb Lleshin, së bashku me pesë të bashkëakuzuar të tjerë, për veprën penale të vrasjes me paramendim.
Procedimi penal ishte nisur pas kallëzimit të Bajram Hilës, babait të viktimës, me banim në fshatin Katund i Ri në Elbasan.
Sipas akuzës, Kasem Vrapi, Atmirant Dragoti, Ilia Pire, Eduart Pepa dhe Pëllumb Lleshi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin goditur viktimën me mjete të forta dhe të ftohta, përfshirë shufra druri, kaçavida dhe shufra hekuri, duke i shkaktuar vdekjen.
Me vendimin e datës 2 mars 2011, Gjykata e Elbasanit i shpalli fajtorë të pandehurit dhe caktoi dënimet përkatëse:
Kasem Vrapi – 20 vite burg Pëllumb Lleshi – 19 vite burg Eduart Dragoti – 18 vite burg Ilia Pire – 17 vite burg Eduart Pepa – 16 vite burg Sipas prokurorisë, hetimi dhe gjykimi i kësaj çështjeje ishte shoqëruar me vështirësi në sigurimin e provave nga autoritetet greke, ndërsa numri i të pandehurve dhe rrethanat e ngjarjes e kishin bërë çështjen komplekse.
Një tjetër precedent penal
Dokumentet e gjykatës britanike evidentojnë gjithashtu se Lleshi kishte qenë më herët në procedim penal në Shqipëri. Në vitin 2014, ai ishte akuzuar për plagosje me dashje dhe përdorim të dokumenteve të falsifikuara, për të cilat kishte marrë një dënim me kusht, të cilin e kishte përfunduar.
Pas vendimit të City of Westminster Magistrates’ Court, çështja e ekstradimit vijon tashmë në fazën e shqyrtimit nga autoritetet britanike, përpara marrjes së vendimit përfundimtar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






