

Avokatët ndërkombëtarë të Erion Veliajt kanë kërkuar leje nga SPAK për ta takuar atë në paraburgim më 10 shtator, në kuadër të përgatitjes së një ankimi që pritet të dërgohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Sipas kërkesës së mbrojtjes, avokatët pritet të takohen me Veliajn për të diskutuar dhe finalizuar dokumentacionin e ankimit lidhur me masën e arrestit. Kryebashkiaku pritet të firmosë apelin që do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.
Ky do të ishte takimi i dytë i Veliajt me avokatët britanikë të studios ndërkombëtare “Mishcon de Reya”, Ben Brandon dhe Celia Marr. Takimi i parë u zhvillua më 28 korrik dhe zgjati rreth pesë orë.
Ndërkohë, më 2 shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit nuk pranoi kërkesën e Veliajt kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Mbrojtja ka paralajmëruar rekurs në Gjykatën e Lartë, duke argumentuar se vonesat në proces nuk kanë ardhur për shkaqe të lidhura me Veliajn. Sipas avokatëve, në një rast mungesa e avokatit Maksim Haxhia, i cili mbron Ajola Xoxën, dhe në një rast tjetër mungesa e avokatit të një të pandehuri tjetër kanë ndikuar në shtyrjen e seancave.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të SPAK.
Ankimi në Strasburg pritet të fokusohet te pretendimet e mbrojtjes lidhur me ligjshmërinë dhe kohëzgjatjen e masës së arrestit ndaj kryebashkiakut.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






