Transmetuar më 04-09-2026, 11:33

Arbër Habilaj, i shpallur në kërkim nga policia për dhunimin e 18-vjeçarit Genti Nela në zonën e Golemit, ka dhënë versionin e tij për ngjarjen. Në një intervistë për gazetarin Spartak Koka, Habilaj ka mohuar që konflikti të ketë nisur për shkak të pagës, duke pretenduar se përplasja ka ardhur pasi i riu ka ofenduar dhe më pas ka goditur vëllain e tij, Florian Habilaj.

Sipas Habilajt, 18-vjeçari ka marrë një gotë dhe ia ka thyer në kokë vëllait të tij, duke bërë që situata të përshkallëzohej në përplasje fizike.

Ai ka deklaruar gjithashtu se konflikti nuk ka ndodhur për shkak të mospagimit, pasi pretendon se 18-vjeçarit i është dhënë paga e parë edhe pse, sipas tij, nuk kishte nisur ende punë në hotel.

“Ne kemi një hotel në Malin e Robit. E kemi hapur më 10 gusht. Këtë djalin e gjeti vëllai si kamerier. Ne e kemi marrë në korrik, por ka ardhur në gusht, sepse atëherë u hap hoteli. Kemi rënë dakord që do t’i jepnim rrogën edhe pa ardhur asnjë ditë, sepse hapja e hotelit u vonua”, ka pretenduar Habilaj.

Ai ka deklaruar se paga e rënë dakord ishte 600 mijë lekë të vjetra dhe se, sipas tij, kjo shumë i është dhënë të riut për periudhën përpara hapjes së hotelit.

Sipas versionit të Habilajt, vendimi për largimin e 18-vjeçarit nga puna ishte marrë pasi ai nuk ishte konsideruar i përshtatshëm për pozicionin e kamerierit.

“Vëllai e dëgjoi duke folur në telefon me një person tjetër për punë. Ishte e enjte, ai do të ikte të dielën. Ne e kishim vendosur për ta hequr sepse nuk ishte i aftë për atë lloj pune”, ka thënë ai.

Habilaj pretendon se më pas 18-vjeçari ka kërkuar që të qëndronte edhe dy ditë në punë, por kërkesa, sipas tij, nuk është pranuar. Ai mohon që të ketë pasur konflikt për pagën.

“Shko bëj llogaritë sa të takojnë dhe ik në shtëpi. […] Këtij pagën e parë ia kam dhënë pa ardhur fare në punë. Ia kam dhënë se kam rënë dakord si burrat”, është shprehur Habilaj.

“E kemi goditur vetëm unë dhe vëllai”

Duke folur për momentin e përplasjes, Arbër Habilaj ka pretenduar se 18-vjeçari ka nisur konfliktin fizik pasi ka thyer një gotë në kokën e vëllait të tij.

“Ky e pa që ne u mërzitëm dhe kap gotën, e ia thyen vëllait në kokë. Vëllain e kam të gjakosur te policia në Durrës. Nga ai sherr aty, sherr me grushte, asnjë gjë tjetër nuk ka ndodhur. Normalisht dhe ne i jemi kundërpërgjigjur. E kemi goditur vetëm unë dhe vëllai”, ka deklaruar ai.

Habilaj ka shtuar se nuk ka dijeni për dëmtimet që ka marrë 18-vjeçari, ndërsa ka pretenduar se disponon materiale filmike që, sipas tij, mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi në zonën e Golemit, ku 18-vjeçari Genti Nela, i cili punonte si kamerier në një hotel në Malin e Robit, u përfshi në një konflikt që përfundoi me dhunë fizike.

Për ngjarjen janë arrestuar Florian Habilaj, 28 vjeç, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç, ndërsa Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim nga policia.

Pas dhunimit, 18-vjeçari është transportuar në Spitalin e Kavajës, ku ka marrë ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, pas ngjarjes, xhaxhai i të riut, Melison Nela, është nisur drejt hotelit i armatosur, dyshohet me qëllim hakmarrjen. Policia e ka ndaluar pranë hotelit dhe gjatë kontrollit në automjet i ka gjetur një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa rrethanat e plota të konfliktit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë pritet të përcaktohen nga autoritetet.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit