

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pritet të udhëtojë më 6 shtator drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë një takim me shqiptarët që jetojnë atje. Në të njëjtën ditë, një grup emigrantësh shqiptarë ka paralajmëruar një protestë kundër tij.
Takimi i Berishës me diasporën shqiptare në SHBA është njoftuar më herët dhe mban titullin “Freedom Works”. Aktiviteti do të zhvillohet të dielën, më 6 shtator, në orën 11:00, në Bergen Performing Arts Center, në Englewood, New Jersey.
Ndërkohë, një grup emigrantësh që kundërshtojnë kreun e PD-së kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në një protestë që pritet të zhvillohet në të njëjtën ditë.
Në një postim në Instagram, organizatorët kanë publikuar thirrjen për protestë, duke përdorur sloganin “Berisha non-grata, Berisha në burg”.
Vizita në SHBA vjen pas heqjes së statusit “non grata” ndaj Berishës dhe konsiderohet si udhëtimi i tij i parë në Shtetet e Bashkuara pas këtij zhvillimi.
Përplasja e paralajmëruar mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Berishës e bën 6 shtatorin një datë të rëndësishme për zhvillimet politike brenda komunitetit shqiptar në SHBA.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






