

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj pretendimeve se qeveria shqiptare ka ndërhyrë për mbylljen apo kufizimin e rreth 200 llogarive në rrjetet sociale, të lidhura me persona që kanë marrë pjesë në protestat e fundit.
Në një reagim në platformën “X”, Rama i është përgjigjur Partisë Demokratike Evropiane, e cila kishte ngritur pretendimin për mbylljen e qindra llogarive në Shqipëri. Kryeministri i ka cilësuar këto pretendime si të pabaza dhe ka kritikuar mënyrën e paraqitjes së tyre.
“Jo, kjo është një tjetër pikë e ulët. Ajo që e urreva ishte aludimi i juaj i paturpshëm vizual, dhe fakti që refuzoni ta trajtoni këtë tregon saktësisht se çfarë lloj demokratësh jeni. Më vjen keq!”, shkruan Rama.
Debati vjen pas pretendimeve për çaktivizimin e disa profileve në Instagram dhe rrjete të tjera sociale. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe eksperti i mediave sociale Blerim Gjeladini, i cili ka deklaruar se një qeveri nuk ka mundësi të ndërhyjë drejtpërdrejt në sistemet e Instagramit për të mbyllur llogari specifike.
Sipas tij, një shtet mund të ndërmarrë masa ndaj një platforme të tërë brenda territorit të vet, por nuk mund të hyjë në sistemin e Instagramit dhe të përcaktojë individualisht se cilat profile duhet të mbyllen.
Gjeladini ka renditur disa arsye që mund të çojnë në çaktivizimin e llogarive, përfshirë shkeljen e rregullave të platformës, aktivitetin e koordinuar joautentik (CIB), përdorimin e profileve false dhe bot-eve, si dhe përdorimin e metodave artificiale për rritjen e ndërveprimeve dhe shikueshmërisë.
Mes shkaqeve të tjera ai përmend edhe shkeljet e të drejtave të autorit, privatësisë dhe politikave të tjera të platformave. Sipas ekspertit, zhvillimi i inteligjencës artificiale po u mundëson platformave të identifikojnë më shpejt aktivitete të tilla.
“Po të kishte një qeveri mundësi të hynte direkt në sistemet e Instagramit dhe të mbyllte llogari me sustë, kjo do të ishte skandal botëror, çështje sigurie globale dhe çështje besimi te platforma”, është shprehur Gjeladini.
Kryeministri Rama ka publikuar edhe reagimin e plotë të ekspertit, së bashku me një fotografi ku shfaqet një postim që përmban një imazh të tij dhe diçiturën “Edi Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë”. Rama e ka shoqëruar publikimin me një koment ironik: “Tani le ta bëjnë edhe këtë patronazhist”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






