

Rama uron Melonin për rekordin dhe bën batutën: Ti në Itali, unë në Shqipëri! Merkelit nuk ia kam kaluar ende
Kryeministri Edi Rama ka uruar Giorgia Melonin pasi qeveria e saj u bë këtë të premte qeveria më jetëgjatë pa ndërprerje në historinë e Republikës Italiane, duke e shoqëruar mesazhin me batuta për jetëgjatësinë e tij në pushtet dhe ish-kancelaren gjermane Angela Merkel.
“Giorgia, po lexoj se nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Po me të vërtetë?”, nis Rama mesazhin e tij që citon noa.al.
Kreu i qeverisë shqiptare ironizon më pas ndryshimet e shpeshta të qeverive në Itali gjatë viteve, duke thënë se ishte mësuar të ndërronte bashkëbisedues në Romë “pothuajse me ritmin e ndërrimit të trajnerëve të Milanit”.
Rama ndalet edhe te shqetësimet që shoqëruan ardhjen e Melonit në pushtet në vitin 2022, veçanërisht nga e majta europiane.
“E megjithatë, shiko sa gjë e çuditshme, demokracia italiane nuk duket aspak në rrezik, pavarësisht gjithçkaje që sidomos ne në të majtë kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi me pantallona të zeza”, shkruan Rama.
Kryeministri kujton edhe qëndrimin fillestar të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndërsa vlerëson kursin europian që Meloni ka ndjekur gjatë qeverisjes.
“Më kujtohet madje se edhe Ursula në atë kohë u shqetësua jo pak. Sot ndërkohë edhe ajo do të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin. Sepse në vend që të marshoje mbi trupin e Europës, siç trembeshin, e përqafove Europën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa gjëra: në çështjet e sigurisë, emigracionit ilegal natyrisht”, vijon Rama.
Nuk mungon as një tjetër batutë për politikën italiane, këtë herë për rolin e grave.
“Që kur je ti ka një deficit demokratik të madh në Itali: i nxore burrat jashtë luftës për pushtet, e cila tashmë është bërë një punë mes grash, ekskluzivisht mes grash”, shkruan ai.
Por pjesën më pikante Rama e rezervon për fundin, kur e sfidon me humor Melonin të thyejë tashmë rekordin e tij të qëndrimit në krye të qeverisë shqiptare.
“Çfarë të të them më shumë e dashur Giorgia, tani është një tjetër rekord për t’u thyer, imi!”, shkruan Rama.
Ai shton se edhe vetë vazhdon të jetë pas rekordit të Angela Merkelit, e cila drejtoi Gjermaninë për 16 vjet.
“Dhe mjerë ata që më thonë se Italia nuk është në Ballkan, eh, sepse jemi gjithmonë prapa Gjermanisë ku një tjetër zonjë e shkëlqyer ka qeverisur edhe më gjatë se unë”, përfundon Rama.
Qeveria Meloni arriti më 4 shtator 2026 në 1,413 ditë në detyrë, duke kaluar qeverinë e dytë të Silvio Berlusconit, e cila kishte qëndruar 1,412 ditë dhe mbante deri tani rekordin e Republikës Italiane.
E PLOTË:
"Giorgia, po lexoj se nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Po me të vërtetë? Qenkam mësuar keq unë duke ndërruar bashkëbisedues në Romë pothuajse me ritmin e ndërrimit të trajnerëve të Milanit.
E megjithatë, shiko sa gjë e çuditshme, demokracia italiane nuk duket aspak në rrezik, pavarësisht gjithçkaje që sidomos ne në të majtë kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi me pantallona të zeza.
Më kujtohet madje se edhe Ursula në atë kohë u shqetësua jo pak. Sot ndërkohë edhe ajo do të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin. Sepse në vend që të marshoje mbi trupin e Evropës, siç trembeshin, e përqafove Evropën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa gjëra: në çështjet e sigurisë, emigracionit ilegal natyrisht.
Por gjithsesi duhet t’i thuash të gjitha: që kur je ti ka një deficit demokratik të madh në Itali: i nxore burrat jashtë luftës për pushtet, e cila tashmë është bërë një punë mes grash, ekskluzivisht mes grash.
Çfarë të të them më shumë e dashur Giorgia, tani është një tjetër rekord për t’u thyer, imi! Dhe mjerë ata që më thonë se Italia nuk është në Ballkan, eh, sepse jemi gjithmonë prapa Gjermanisë ku një tjetër zonjë e shkëlqyer ka qeverisur edhe më gjatë se unë.
Rroftë Italia, rrofshin gratë italiane dhe shqiptare."
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






