

TIRANË – Tre shtetase të huaja janë arrestuar në Tiranë në kuadër të një operacioni policor kundër rasteve të dyshuara të prostitucionit dhe reklamimit të kësaj veprimtarie në rrjetet sociale.
Operacioni i koduar “Last post” është zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas verifikimeve dhe hetimeve për aktivitetin e dyshuar që zhvillohej në apartamente të marra me qira.
Në pranga kanë përfunduar dy shtetase braziliane, 46 dhe 21 vjeçe, si dhe një 23-vjeçare me shtetësi kolumbiane.
Sipas Policisë, 46-vjeçarja dyshohet se shfrytëzonte 21-vjeçaren për ushtrimin e prostitucionit në një apartament të marrë me qira në rrugën “Abdyl Frashëri”.
Gjatë kontrollit të banesës, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar gjashtë telefona celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për reklamimin e aktivitetit në rrjetet sociale.
Në një rast tjetër, 23-vjeçarja kolumbiane dyshohet se kishte marrë me qira një apartament në rrugën “Hamdi Sulcebe”, ku, sipas hetimeve të policisë, ushtronte prostitucion.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet dhe verifikimet ndaj kësaj veprimtarie po vijojnë si në terren, ashtu edhe në hapësirën digjitale, me fokus rastet e reklamimit të shërbimeve në rrjetet sociale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






