

Regjistrimet e reja vijojnë në nivele të larta, ndërsa makinat elektrike shënojnë rritje të fortë. BYD ngjit shpejt në tregun shqiptar
Numri i automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri vijon të rritet, edhe pse ritmet e regjistrimeve janë ngadalësuar krahasuar me dy vitet e mëparshme. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor tregojnë se gjatë periudhës janar-gusht janë regjistruar për herë të parë 66.5 mijë automjete.
Shifra është pothuajse në të njëjtin nivel me 8-mujorin e një viti më parë. Vetëm gjatë muajit gusht janë regjistruar rreth 8.1 mijë mjete, rreth 10% më pak krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Importet e automjeteve janë ngadalësuar pas muajit mars, në një periudhë kur vështirësitë në transport dhe rritja e kostove të logjistikës kanë ndikuar te automjetet e importuara nga tregjet aziatike.
Kina dhe Koreja e Jugut kryesojnë importet Preferencat e blerësve shqiptarë kanë ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit, me tregjet aziatike që vijojnë të fitojnë terren.
Koreja e Jugut kryeson për 8-mujorin, me rreth 17.5 mijë automjete, ose afërsisht 26% të totalit të regjistrimeve të reja. Çmimet më konkurruese kanë ndikuar në rritjen e interesit për automjetet me origjinë nga ky treg.
Në vendin e dytë renditet Kina, me rreth 10.6 mijë automjete, që përbëjnë rreth 16% të regjistrimeve. Rritja e importeve kineze lidhet edhe me interesin në rritje për automjetet elektrike.
Ndërkohë, Gjermania dhe Italia, që tradicionalisht kanë qenë ndër tregjet kryesore për automjetet në Shqipëri, renditen në vendin e tretë dhe të katërt, me përkatësisht 7.9 mijë dhe 7.7 mijë mjete.
Makinat elektrike rriten 2.5 herë Interesi për automjetet elektrike vijon të rritet, pavarësisht një ngadalësimi të regjistrimeve gjatë muajve të fundit.
Në gusht janë regjistruar për herë të parë 681 automjete elektrike, pothuajse në të njëjtin nivel me korrikun, kur u regjistruan 682 të tilla.
Megjithatë, në totalin e 8-mujorit janë regjistruar 7,087 automjete elektrike, rreth 2.5 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ato përbëjnë 10.6% të të gjitha mjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë janar-gushtit.
Sa i përket markave, Volkswagen dhe Mercedes-Benz vijojnë të jenë ndër zgjedhjet kryesore të blerësve shqiptarë, me përkatësisht 16.5% dhe 14.7% të regjistrimeve.
Në të njëjtën kohë, marka kineze BYD po fiton me shpejtësi terren dhe ka arritur në 7% të totalit të regjistrimeve, duke reflektuar rritjen e kërkesës për automjete elektrike dhe zgjerimin e pranisë së prodhuesve kinezë në tregun shqiptar.
Në fund të gushtit, numri total i mjeteve që qarkullojnë në vend ka arritur në rreth 1.1 milionë automjete.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






