

Robotët do të patrullojnë ambientet e burgjeve dhe do të jenë të pajisur me sprej piperi për ndërhyrje në rast incidentesh
SINGAPOR – Singapori pritet të nisë në muajin tetor testimin e robotëve të pajisur për patrullimin e burgjeve dhe ndërhyrjen gjatë përleshjeve mes të dënuarve.
Sipas “The Straits Times”, Shërbimi i Burgjeve i Singaporit (SPS) planifikon një periudhë testimi tre mujore për robotin e quajtur PROTECT, i cili peshon rreth 510 kilogramë dhe është 157 centimetra i lartë.
Roboti është zhvilluar nga SPS në bashkëpunim me Agjencinë për Shkencë dhe Teknologji të Ekipit të Brendshëm (HTX). Ai do të patrullojë oborret e burgjeve në orare të ndryshme gjatë ditës.
Në rast të një përleshjeje, roboti do t’u kërkojë të burgosurve të largohen nga zona. Nëse urdhri nuk zbatohet, ai mund të përdorë sprej piperi, i cili mund të arrijë deri në pesë metra dhe të zgjasë rreth 20 sekonda.
Pajisja do të transmetojë gjithashtu në kohë reale pamje dhe audio te zyrtarët në Qendrën e Kontrollit të Njësisë Korrektuese, duke u mundësuar atyre të monitorojnë situatën dhe të ndërhyjnë.
Megjithatë, SPS ka sqaruar se roboti është ende në fazën e zhvillimit dhe aktualisht nuk është në gjendje t’i zbulojë dhe t’u përgjigjet në mënyrë autonome incidenteve.
Sistemi përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar njerëzit dhe për të lëvizur në mënyrë të sigurt, duke shmangur pengesat.
Gjatë fazës së provës, tre robotë do të testohen në tri institucione të ndryshme.
Testimi vjen në një kohë kur autoritetet kanë regjistruar rritje të incidenteve të dhunshme në burgje. Shkalla e sulmeve është rritur nga 54.4 për 10 mijë të burgosur në vitin 2024, në 76.7 në vitin 2025.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






