Transmetuar më 04-09-2026, 07:43

Dyshohet se viktimat po përpiqeshin të vidhnin produkte nafte. Shumë persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet

Të paktën 37 persona dyshohet se kanë humbur jetën në jug të Nigerisë, pasi u ekspozuan ndaj gazrave toksikë gjatë një përpjekjeje për të vjedhur produkte nafte nga një tubacion.

Ngjarja ka ndodhur në Okrika, pranë Port Harcourt, në shtetin Rivers. Sipas organizatës joqeveritare lokale YEAC-Nigeria, disa persona kishin ndërhyrë në një tubacion që transportonte produkte nafte nga uzina Indorama Eleme Petrochemical drejt anijeve që mbërrinin në zonë për ngarkim dhe eksport.

Dyshohet se personat kishin lidhur një tub me linjën e transportit të karburantit me qëllim vjedhjen e produkteve. Gjatë ndërhyrjes, ata janë ekspozuar ndaj një përqendrimi të lartë gazrash toksikë, duke humbur jetën.

Bilanci mund të jetë edhe më i rëndë. Sipas YEAC-Nigeria, shumë persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa dëshmitarë kanë raportuar se trupa janë parë duke lundruar në një lumë pranë zonës së incidentit.

“Të paktën 37 persona kanë vdekur pasi kanë thithur gazra nga produktet e kompanisë petrokimike Indorama dhe shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur”, deklaroi organizata.

Policia e shtetit Rivers ka konfirmuar se një incident i rëndë ka ndodhur në Okrika dhe se autoritetet po hetojnë ngjarjen. Megjithatë, deri tani policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht bilancin prej 37 viktimash të raportuar nga organizata joqeveritare.

Vjedhja e naftës dhe ndërhyrjet e paligjshme në tubacione janë një problem i përsëritur në Deltën e Nigerit, një nga zonat kryesore naftëmbajtëse të Nigerisë. Krahas rrezikut për jetën, dëmtimi i tubacioneve kontribuon edhe në ndotjen e rëndë të mjedisit në rajon.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit