Transmetuar më 03-09-2026, 23:40

Gazetari komentoi përplasjen mes dy biznesmenëve në Radhimë dhe ngriti pikëpyetje mbi versionin e policisë për konfliktin

VLORË – Gazetari Lorenc Vangjeli ka komentuar mbrëmjen e sotme përplasjen e ndodhur të enjten në Radhimë, në hotelin në pronësi të biznesmenit Vasil Bedinaj.

Duke folur në emisionin “Now” në Euronews Albania, Vangjeli u ndal te deklarata e Policisë së Vlorës, sipas së cilës konflikti lidhet me një pretendim për një gjobë prej 5 milionë eurosh ndaj biznesmenit Bedinaj, të vendosur nga biznesmeni Luan Muça.

Sipas Vangjelit, kjo deklaratë lë hapësirë për interpretim, pasi në thelb të konfliktit, sipas tij, qëndron një çështje pronësie. Ai argumentoi se zgjidhja e konflikteve të tilla duhet të garantohet nga shteti dhe sistemi i drejtësisë.

“Është çështje pronësie. Dy qytetarë, dy biznesmenë që ushqejnë dhjetëra familje dhe paguajnë taksa, dhe ky shtet i ka lënë jetimë në fatin e tyre”, u shpreh Vangjeli.

Gazetari e lidhi situatën edhe me problematikën e pronave në vend, duke kritikuar qeverinë Rama për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje ndër vite.

“Edhe Edi Rama, që 13 vjet më parë erdhi me premtimin për zgjidhjen e çështjes së pronave, nuk arriti t’i jepte një zgjidhje, madje e përkeqësoi në një drejtim, pasi konfliktet e pronësisë janë zhvendosur në bregdet. Në Vlorë vetëm fati shmangu tragjedi edhe më të rëndë”, deklaroi ai.

Vangjeli ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi interpretimin e deklaratës së policisë për pretendimin e gjobës prej 5 milionë eurosh, duke argumentuar se mes dy biznesmenëve mund të ketë një marrëdhënie më komplekse.

“Policia nuk flet me metafora. Ka një marrëdhënie shumë më të thellë mes tyre”, tha ai.

Sipas gazetarit, në rastet kur një biznesmen merr statusin e investitorit strategjik, shteti duhet të marrë përsipër edhe problematikat që lidhen me pronësinë dhe të garantojë zgjidhjen e tyre përmes institucioneve.

Duke iu referuar njërit prej biznesmenëve, të cilin tha se e njeh personalisht, Vangjeli shtoi: “Mund të ketë bërë 1001 gjëra, por nuk është gjobëvënës”.

Deklaratat e Vangjelit janë bërë në kuadër të diskutimit televiziv mbi konfliktin mes biznesmenëve dhe nuk përbëjnë një konstatim të pavarur mbi përgjegjësinë ligjore të palëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit