

Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet problematike, me 27 vatra të raportuara gjatë ditës, ndërsa tetë prej tyre janë ende aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 17 vatra janë shuar plotësisht dhe dy të tjera ndodhen nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 265 forca operacionale dhe 38 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë vendosur edhe 170 efektivë të Forcave të Armatosura dhe tre automjete zjarrfikëse, ndërsa helikopterët e Forcës Ajrore kanë ndërhyrë në katër operacione.
Vëmendja kryesore e strukturave të emergjencave është përqendruar në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër.
Në Dibër, puna për shuarjen e flakëve vijon në zonat Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, me ndërhyrje nga toka dhe mbështetje ajrore në zonat e Matit. Sipas autoriteteve, zjarret në këto zona nuk paraqesin rrezik për banesat.
Në Dajt është riaktivizuar një vatër zjarri, ku janë angazhuar rreth 60 forca. Edhe në këtë zonë, situata raportohet nën kontroll dhe pa rrezik për zonat e banuara.
Problematike mbetet situata në qarkun e Lezhës, veçanërisht përgjatë aksit Kalivaç–Zimaj–Kashnjet. Për shkak të përhapjes së flakëve, autoritetet kanë evakuuar banorët e zonës, ndërsa operacioni është përforcuar me dy helikopterë të Forcës Ajrore, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe tre automjete zjarrfikëse.
Në Mnelë të Vogël të Vaut të Dejës, intensiteti i zjarrit ka rënë dhe rreziku për zonat e banuara është shmangur. Ekipet në terren vijojnë ndërhyrjen për neutralizimin e plotë të vatrës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






