Transmetuar më 03-09-2026, 22:21

Hetimet për një telefon celular të gjetur në ambientet e IEVP Fier kanë çuar në arrestimin e dy të paraburgosurve dhe në vendosjen e masave të sigurisë ndaj katër punonjësve të burgut.

Ngjarja daton më 24 qershor 2026, kur gjatë një kontrolli në dhomën ku vuante dënimin shtetasi K. C. u konstatua një aparat celular. I paraburgosuri kishte pranuar se telefoni ishte i tij, ndërsa për rastin ishte hartuar edhe raporti i incidentit.

Por gjatë veprimeve të para hetimore, Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale konstatoi se prova materiale e raportuar, konkretisht telefoni celular, nuk ndodhej më në vendngjarje.

Çështja u hetua në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përmes edhe metodave speciale të hetimit.

Në përfundim, Gjykata e Fierit vendosi masën “Arrest në burg” për dy të paraburgosurit K. C. dhe B. P.

Ndërkohë, masa sigurie janë caktuar edhe për katër punonjës të IEVP Fier. Ata janë pezulluar nga ushtrimi i detyrës, u është ndaluar dalja jashtë shtetit dhe janë vendosur nën masën “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Bëhet fjalë për M. B., përgjegjës i godinave B dhe C, si dhe E. H., S. H. dhe J. M., punonjës të rolit bazë në sektorin e godinës A.

Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat në të cilat telefoni u gjet gjatë kontrollit, u raportua si provë materiale dhe më pas rezultoi se mungonte nga vendi i ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit