

Leku po vijon të forcohet ndaj euros, e cila tashmë po këmbehet në rreth 92 lekë. Në fillim të vitit, një euro vlente rreth 96.5 lekë, duke treguar një zhvlerësim të ndjeshëm të monedhës europiane ndaj lekut gjatë muajve të fundit.
Një nga faktorët kryesorë pas kësaj tendence lidhet me rritjen e ofertës së valutës në tregun shqiptar. Muajt e sezonit turistik kanë sjellë hyrje të konsiderueshme eurosh, të nxitura nga fluksi i turistëve të huaj, dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja.
Korriku dhe gushti përkojnë me kulmin e sezonit turistik, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria është vizituar nga më shumë se 7 milionë turistë të huaj. Shpenzimet e tyre në vend kanë rritur qarkullimin e valutës dhe, për pasojë, ofertën e euros në treg.
Ekspertët e lidhin kursin e këmbimit me raportin mes kërkesës dhe ofertës. Kur hyrjet e valutës rriten, presioni mbi kursin e euros shtohet, duke favorizuar forcimin e lekut.
Për qytetarët dhe bizneset që blejnë produkte apo shërbime nga jashtë, një euro më e dobët përkthehet në kosto më të ulëta. Importuesit paguajnë më pak në lekë për mallrat dhe lëndët e para të blera në euro, çka mund të ndihmojë edhe në frenimin e presioneve inflacioniste.
Në kahun tjetër, zhvlerësimi i euros prek eksportuesit dhe familjet që marrin të ardhura në monedhën europiane, pasi të njëjtat të ardhura konvertohen në më pak lekë.
Banka e Shqipërisë po ndjek nga afër zhvillimet në tregun valutor, ndërsa turizmi, remitancat dhe investimet e huaja mbeten ndër burimet kryesore të valutës në ekonominë shqiptare. Për të zbutur efektet e forcimit të lekut, këtë vit banka qendrore ka rritur ndërhyrjet përmes blerjes së euros në treg, me një shumë që parashikohet të arrijë në rreth 450 milionë euro deri në fund të vitit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






