Transmetuar më 03-09-2026, 18:35

Një 17-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi dyshohet se ka pasur rol në vrasjen me thikë të 25-vjeçarit Gabriele Vaccaro. I riu akuzohet për bashkëpunim në vrasje me dashje dhe është arrestuar si personi i dytë i dyshuar për ngjarjen.

Vrasja ndodhi prillin e kaluar në një parking në zonën Cattaneo, pranë qendrës historike të Pavias. Gjithçka nisi pas një konflikti banal mes të rinjve, që dyshohet se shpërtheu për një picë që do të merrej me vete.

Vaccaro u godit me thikë në fyt dhe, pavarësisht ndërhyrjes, humbi jetën. Menjëherë pas ngjarjes, policia arrestoi një 16-vjeçar, i dyshuar si autori i goditjeve fatale.

Hetimet zbuluan gjithashtu përfshirjen e një grupi të rinjsh që ndodheshin bashkë në momentin e konfliktit. Mes tyre ishte edhe 17-vjeçari shqiptar.

Sipas akuzës, gjatë përleshjes ai ka ndërhyrë për të mbrojtur me trup autorin e dyshuar të vrasjes. Pas ngjarjes, të dy janë larguar së bashku nga vendi i ngjarjes.

Dyshimet e hetuesve shkojnë edhe më tej: 17-vjeçari akuzohet se i ka dhënë autorit të dyshuar rrobat e tij, në përpjekje për ta ndihmuar të mos identifikohej dhe t’u shpëtonte kontrolleve të policisë.

Pas arrestimit, adoleshenti shqiptar është dërguar në Institutin Penal për të Mitur “Cesare Beccaria” në Milano.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë konkrete të personave të tjerë që ndodheshin në grup gjatë natës së vrasjes. Katër të rinj të tjerë ishin denoncuar në lidhje me ngjarjen.FanPage

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit