Transmetuar më 03-09-2026, 18:30

TIRANË – Partia Demokratike, përmes një deklarate për mediat, ka shprehur shqetësimin për situatën kriminale në vend, pas një serie ngjarjesh të rënda të regjistruara brenda së njëjtës ditë.

Pas vrasjes së mëngjesit në Mirditë, përplasjes me armë në Orikum dhe plagosjes në Korçë, PD e cilëson situatën si jo normale për një vend të sigurt. Sipas demokratëve, këto ngjarje janë tregues i një shteti, autoriteti i të cilit po sfidohet hapur nga krimi.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE: Brenda pak orësh, Shqipëria është përballur me tri ngjarje të rënda kriminale, të shtrira nga Mirdita në Orikum e Korçë.

Në Ndërfushaz të Mirditës, 65-vjeçari Viktor Bardhi u vra me armë zjarri mëngjesin e sotëm. Ndërkohë, në Orikum, pronari i një resorti ka denoncuar se është kërcënuar nga persona të armatosur. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë të paktën tetë automjete që kanë mbërritur përpara kompleksit, kanë bllokuar zonën dhe nga të cilat kanë zbritur disa persona. Pas ndërhyrjes së policisë, një prej automjeteve të dyshuara është aksidentuar gjatë largimit. Sipas informacioneve të raportuara, brenda tij janë gjetur tre persona dhe një armë zjarri.

Në Korçë, po brenda së njëjtës ditë, armët janë përdorur sërish. Të shtënat në unazën e qytetit kanë lënë një person të plagosur, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Një qytetar vritet në pritë. Një biznes rrethohet nga një grup që lëviz me tetë automjete. Një tjetër qytetar plagoset me armë në qytet. Të gjitha këto ndodhin brenda pak orësh.

Kjo nuk është një ditë normale në një vend të sigurt. Kjo është fotografia e një shteti, autoriteti i të cilit po sfidohet hapur nga krimi.

Kur një grup mund të organizojë tetë automjete, të lëvizë në formacion, të rrethojë një biznes dhe të kërcënojë pronarin në mes të ditës, nuk kemi të bëjmë më vetëm me një episod të kronikës së zezë.

Kemi të bëjmë me një demonstrim force dhe me bindjen e botës së krimit se mund të veprojë në territorin e Republikës pa iu trembur shtetit.

Kur në të njëjtën ditë një qytetar ekzekutohet në Mirditë dhe një tjetër plagoset me armë në Korçë, pyetja nuk është më vetëm se kush janë autorët. Pyetja është: Ku është shteti?

Partia Demokratike kërkon zbardhjen e menjëhershme dhe të plotë të këtyre ngjarjeve, si dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve.

Ne mbështesim çdo punonjës të Policisë së Shtetit që përballet me krimin dhe kryen me profesionalizëm detyrën e tij. Por Shqipëria nuk mund të qeveriset me postblloqe të ngritura pasi është kryer vrasja, me ndjekje policore pasi është rrethuar biznesi dhe me komunikata pasi janë përdorur armët.

Policia nuk mund të jetë gjithmonë një hap pas krimit. Shteti duhet të jetë një hap përpara tij.

Pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama dhe qeveria e tij duhet t’u përgjigjen shqiptarëve: si është e mundur që grupe të organizuara të lëvizin me tetë automjete për të rrethuar një biznes, ndërsa armët shkrepen dhe njerëzit vriten apo plagosen në rrugët e vendit?

Problemi nuk është vetëm krimi që shohim. Problemi është pandëshkueshmëria dhe dobësimi i autoritetit të shtetit, të cilat, sipas PD-së, i kanë dhënë krimit kurajën të veprojë hapur në rrugë.

Tre ngjarje të rënda brenda një dite nuk mund të fshihen pas propagandës së “Rilindja 2.0”.

Shqiptarëve nuk u duhet një version i ri i propagandës së vjetër. U duhet një shtet që kontrollon territorin, mbron jetën dhe pronën dhe nuk negocion autoritetin e tij me të fortët dhe botën e krimit.

Partia Demokratike deklaron se, në rast se vjen në qeverisje, do ta rikthejë rendin dhe sigurinë publike në krye të prioriteteve të shtetit.

Sipas PD-së, objektivat do të jenë shkëputja e çdo lidhjeje mes politikës, policisë dhe botës së krimit; çlirimi i Policisë së Shtetit nga emërimet politike dhe promovimi i profesionistëve mbi bazën e meritës dhe integritetit; forcimi i inteligjencës kriminale dhe hetimit proaktiv për goditjen e grupeve të organizuara përpara se ato të godasin qytetarët; goditja e armëmbajtjes së paligjshme dhe aseteve financiare të krimit; mbrojtja e biznesit të ligjshëm nga kërcënimi dhe zhvatja; si dhe pajisja e policisë me teknologjinë, burimet, pagën dhe mbështetjen institucionale të nevojshme për përballimin e krimit.

Nuk premtojmë një Shqipëri pa krim.

Premtojmë një Shqipëri ku krimi i trembet shtetit dhe jo qytetari krimit.

Sepse një shtet që mbërrin vetëm pasi është shkrepur arma nuk është një shtet që garanton siguri.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit