Transmetuar më 03-09-2026, 17:26

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e procesit të ri të quajtur “Prania Besnike”, i cili do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit. Duke filluar nga kjo e premte, në orën 17:00, deputetët e Partisë Socialiste do të angazhohen në dëgjesa të vazhdueshme me qytetarët, një proces që sipas tij do të vijojë për sa kohë ai do të jetë në krye të partisë.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka vendosur theksin te rregullat strikte që duhet të udhëheqin këtë nismë, duke kërkuar që deputetët të mos përdorin pozicionin e tyre për të bërë favore personale apo për të ushtruar presion mbi drejtuesit e institucioneve.

"Prania Besnike kërkon që deputeti nuk duhet të marrë në telefon një drejtor dhe t’i kërkojë ndere. Në Praninë Besnike nuk shkohet për të treguar se sa janë rritur të ardhurat ekonomike, por çfarë nuk na thotë rritja ekonomike," u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se ky mekanizëm nuk duhet të shërbejë si një sportel punësimi apo për të rekrutuar mbështetës, por si një mundësi e vërtetë për të dëgjuar hallet e qytetarëve dhe për të ndjekur rrugën ligjore të zgjidhjes së tyre pranë institucioneve.

Gjithashtu, ai kritikoi përdorimin e mesazheve apo ndërhyrjeve të padrejta në administratë, duke theksuar se politika duhet të funksionojë si një "antene për shtetin që dëgjon" dhe jo si një kanal paralel që shkel parimin e meritokracisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit