Transmetuar më 03-09-2026, 17:18

Një konflikt për motive pronësie mes dy biznesmenësh të njohur ka degjeneruar në përdorimin e armëve, dhunë fizike dhe një aksident rrugor në zonën e Radhimës dhe Orikumit në Vlorë. Pronari i "Delta Group", Luan Muça, është shoqëruar nga policia së bashku me katër persona të tjerë, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim.

Ngjarja ka nisur në ambientet e "Hotel Regina" në Radhimë, në pronësi të biznesmenit Vasil Bedinaj. Sipas hetimeve paraprake, mollë sherri mes Bedinajt dhe Bujar e Luan Muçës është bërë një pronë tokësore pranë hotelit, e cila pretendohet se është në zotërim të biznesmenëve të "Delta Group".

Mësohet se Bujar Muça, së bashku me punonjës të "Swat Security" dhe mbi 10 persona të tjerë të armatosur, janë futur në ambientet e hotelit dhe janë përballur me njerëzit e Bedinajt, ku ka pasur edhe përleshje fizike. Pas ngjarjes, autorët janë larguar, por konflikti ka vazhduar në formë ndjekjeje me automjete në zonën e Orikumit dhe bypass-it.

Gjatë ndjekjes, automjeti tip "Range Rover" me të cilin udhëtonin personat e përfshirë është përmbysur si pasojë e shpejtësisë, duke lënë të plagosur tre persona që u transportuan në spital. Gjatë kontrollit të këtij mjeti, policia gjeti një armë zjarri pistoletë. Paraprakisht raportohet se grupi i Bedinajt ka qëlluar me armë në ajër gjatë ndjekjes, ndërsa në një kontroll të ushtruar në një automjet në Fier u konstatuan gjithashtu dy gëzhoja ose plumba brenda mjetit.

Policia e Vlorës vijon operacionin dhe krehjen e zonës për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit