Transmetuar më 03-09-2026, 14:26

Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me ngjarjen e rëndë të raportuar në zonën e Radhimës, ku pronari i Hotel Regina, Vasil Bedinaj, dyshohet se është kërcënuar nga një grup personash të armatosur.

Sipas informacioneve paraprake, më shumë se 10 persona, shumica prej tyre të armatosur, janë paraqitur në ambientet e hotelit me pretendimin për t’i vendosur gjobë biznesmenit. Mësohet se grupi i ka kërkuar Bedinajt shumën prej 5 milionë eurosh.

Fillimisht, personat dyshohet se e kanë kërcënuar me fjalë pronarin e hotelit, ndërsa më pas situata ka agravuar dhe janë përdorur edhe armët. Gjatë përplasjes raportohet të ketë pasur edhe konflikt fizik mes palëve.

Pas ngjarjes, personat e përfshirë janë larguar nga ambientet e hotelit. Shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur ndjekjen e tyre.

Gjatë ndjekjes, dy persona që udhëtonin me një automjet janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës. Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.

Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit.

Ndërkohë, forca të shumta policie janë angazhuar në disa zona të Vlorës, në kuadër të kontrolleve për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur dinamikën dhe motivet e ngjarjes, ndërsa informacionet e deritanishme mbeten paraprake dhe pritet të plotësohen nga autoritetet.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit