

Nga sot, 3 shtator, hyn në fuqi ndalimi i importit të mishit nga Brazili në Shqipëri. Vendimi është njoftuar më herët nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), pas heqjes së Brazilit nga lista e vendeve të autorizuara nga Bashkimi Evropian për eksportin e këtyre produkteve.
Sipas AKU-së, masa është marrë për shkak të mungesës së garancive të mjaftueshme lidhur me sigurinë e përdorimit të antibiotikëve dhe substancave nxitëse të rritjes te kafshët.
Megjithatë, ndalimi nuk prek ngarkesat që janë pajisur me certifikata shëndetësore përpara datës 3 shtator. Këto ngarkesa do të vijojnë të pranohen edhe në rast se mbërrijnë në Shqipëri pas hyrjes në fuqi të masës.
Brazili ka qenë prej më shumë se dy dekadash një nga furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar me mish dhe nënprodukte të tij, duke u renditur në vendin e parë për sa i përket importeve të këtij produkti.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë periudhës janar–qershor janë importuar në total rreth 23 mijë tonë mish, me një vlerë prej 46.3 milionë eurosh. Nga këto furnizime, rreth 34.6% kanë ardhur nga Brazili.
Ndalimi i importeve pritet të ndikojë në strukturën e furnizimit të tregut shqiptar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse masa do të sjellë ndryshime në çmimet e mishit dhe në burimet alternative të importit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






