

Një ngjarje e rëndë është raportuar mesditën e sotme në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku një grup prej më shumë se 10 personash, disa prej tyre të armatosur, dyshohet se kanë shkuar për t’i vendosur gjobë pronarit të një hoteli.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 12:30. Sipas informacioneve paraprake, personat kanë kërcënuar fillimisht me fjalë pronarin e hotelit, ndërsa më pas situata ka agravuar dhe janë përdorur edhe armë zjarri. Autorët dyshohet se i kanë kërkuar pronarit një shumë parash.
Mes palëve raportohet të ketë pasur edhe një përplasje fizike, ndërsa personat e përfshirë janë larguar me shpejtësi nga ambientet e hotelit.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur ndjekjen e personave të dyshuar.
Gjatë ndjekjes, dy persona që udhëtonin me një automjet janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit të Vlorës. Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë shpërndarë në disa zona të Vlorës, ndërsa vijojnë kontrollet për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në ngjarje.
Policia po vijon hetimet për të dokumentuar rrethanat e plota të incidentit, ndërsa informacionet e deritanishme mbeten paraprake dhe pritet të plotësohen me të dhëna zyrtare.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






