

Tiranë, 3 shtator 2026 – Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke i cilësuar si “fytyra e dështimit” të reformës në drejtësi.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te pagat e drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre institucioneve, duke argumentuar se nëse pagat e tyre konsiderohen të pamjaftueshme, atëherë situata është edhe më problematike për administratën publike.
“Paga është e pamjaftueshme për të gjithë. Kur KLGJ dhe KLP nuk iu mjafton paga, imagjinoni administratën”, deklaroi Rama.
Kryeministri bëri një dallim mes institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe strukturave të posaçme të drejtësisë, duke vlerësuar SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme si pjesë të suksesit të reformës, ndërsa për KLP-në dhe KLGJ-në pati kritika të forta.
“KLP dhe KLGJ janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi, nëse SPAK e Gjykata e Posaçme janë fytyra e suksesit”, tha ai.
Rama kritikoi gjithashtu mënyrën e menaxhimit të performancës në administratën publike, duke e cilësuar mosndëshkimin e performancës negative si një problem që duhet adresuar.
Sipas tij, një pjesë e madhe e punonjësve të administratës publike janë profesionistë dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në proceset shtetërore.
“Ka një element tjetër që është bërë njësoj si paga. Te gjërat që punonjësit tanë të administratës publike është mosndëshkimi i performancës negative”, u shpreh kryeministri.
Në të njëjtën kohë, Rama vlerësoi punën e rreth 1 mijë punonjësve të administratës që, sipas tij, kanë përfaqësuar Shqipërinë në Bruksel gjatë procesit të diagnostikimit në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai i cilësoi këta punonjës si një shembull të performancës së lartë të administratës shqiptare, duke theksuar se problemi nuk qëndron te mungesa e profesionalizmit e të gjithë administratës, por te mungesa e mekanizmave për të adresuar performancën negative.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






