Transmetuar më 03-09-2026, 12:17

Tiranë, 3 shtator 2026 – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se performanca e deputetëve të Partisë Socialiste do të vlerësohet përmes një sistemi të ri me 100 pikë, që sipas tij synon të rrisë përgjegjshmërinë dhe angazhimin e tyre gjatë mandatit.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar socialist, Rama tha se sistemi nuk do të shërbejë si mekanizëm ndëshkimi, por si një mënyrë për të vendosur më shumë disiplinë në ushtrimin e mandatit.

Sipas tij, vlerësimi do të marrë në konsideratë disa komponentë të aktivitetit të deputetëve, duke përfshirë punën parlamentare, praninë në territor, kontaktin me qytetarët, cilësinë e dëgjimit dhe reagimit ndaj problematikave, si dhe angazhimin në strukturat e Partisë Socialiste.

Rama e lidhi këtë mekanizëm me nevojën për të shmangur humbjen e kontaktit me qytetarët, të cilën e konsideroi një problem serioz për një forcë politike në pushtet.

“Në këtë botë pasqyrash, humbja e kontaktit me njerëzit është një problem fatal”, u shpreh kryeministri.

Ai tha se sistemi me 100 pikë duhet të shërbejë si një “disiplinë e mandatit”, duke lidhur punën e deputetëve në Kuvend me aktivitetin e tyre në territor dhe marrëdhënien me qytetarët.

“Moduli i matjes së performancës së deputetit me 100 pikë të ndara, jo si ritual ndëshkimi apo marrja masash, është disiplina e mandatit të katër”, deklaroi Rama.

Sipas tij, deputetët do të vlerësohen edhe për mënyrën se si përcjellin problematikat e qytetarëve dhe përgjigjen ndaj tyre, si dhe për punën me strukturat lokale të partisë.

Rama e shoqëroi njoftimin me një paralajmërim politik, duke theksuar se disiplina dhe performanca janë të domosdoshme për të garantuar që deputetët të mos humbasin mbështetjen e qytetarëve.

“Është disiplinë e domosdoshme për të mos dalë me shqelma jo nga qeveria, por nga historia në fund të këtij mandati”, tha ai.

Në fund, Rama nënvizoi nevojën që prania e Partisë Socialiste të forcohet edhe në zonat ku ajo ka pasur më pak mbështetje, duke përmendur si shembull Finiqin dhe Konispolin.

Sistemi i vlerësimit me 100 pikë pritet të jetë pjesë e qasjes së re të PS-së për monitorimin e angazhimit të deputetëve dhe forcimin e lidhjes së tyre me qytetarët gjatë mandatit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit