

Mat, 3 shtator 2026 – Vatra e zjarrit e regjistruar në zonën e Ulzës, në Bashkinë Mat, vijon të përhapet me shpejtësi, e favorizuar nga era dhe terreni i vështirë.
Sipas informacioneve paraprake, flakët po avancojnë në drejtim të luginës së Shkopetit, duke iu afruar zonës së fshatit Madhesh.
Situata paraqitet e vështirë për ekipet në terren, pasi ndërhyrja nga toka po has vështirësi në izolimin e plotë të flakëve. Zjarri ka shkaktuar dëme në banesa dhe stane, ndërsa po verifikohet edhe nëse janë prekur kafshë të zonës.
Në terren janë angazhuar forcat e Bashkisë Mat, së bashku me efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë për frenimin e përhapjes së zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Për shkak të intensitetit të flakëve dhe vështirësisë së ndërhyrjes nga toka, është kërkuar ndërhyrje nga ajri për të ndihmuar në izolimin e vatrës dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit drejt luginës së Shkopetit.
Forcat në terren vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll situatën, ndërsa priten të dhëna të reja mbi përmasat e dëmeve dhe ecurinë e operacionit të shuarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






