Transmetuar më 03-09-2026, 12:07

Mirditë, 3 shtator 2026 – Vijojnë hetimet për vrasjen e 65-vjeçarit Viktor Marku, i njohur si Viktor Bardhi, i cili u gjet i vrarë brenda automjetit të tij në Ndërfushas të Mirditës.

Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muçaj, ka dhënë detaje të reja për ngjarjen, duke bërë me dije se deri tani është shoqëruar një person, ndërsa grupi hetimor po punon mbi disa pista.

Muçaj tha se identiteti i personit të shoqëruar nuk do të bëhet publik në këtë fazë të hetimit. Sipas tij, në automjetin e viktimës nuk është gjetur asnjë armë zjarri.

“Për momentin kemi një të shoqëruar dhe një pistë hetimi”, deklaroi drejtori i Policisë së Lezhës.

Sipas tij, Policia është njoftuar rreth orës 08:55 për ngjarjen e rëndë në Ndërfushas. Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para në vendngjarje, ku është konstatuar se viktima ishte Viktor Marku, i datëlindjes 1961.

Digjet një automjet rreth 20 minuta pas vrasjes

Një tjetër element që po hetohet nga Policia është djegia e një automjeti në fshatin Rrethi i Ri, pranë Rubikut, rreth 20 minuta pas ngjarjes në Ndërfushas.

Për këtë rast është ngritur një grup i dytë hetimor, i cili po punon për të përcaktuar rrethanat dhe nëse automjeti i djegur ka lidhje me vrasjen e Viktor Bardhit.

Drejtori Muçaj tha se në vendngjarje po fiksohen provat dhe po merren në pyetje dëshmitarët, ndërsa hetuesit po vijojnë punën për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.

“Po kryhen të gjitha veprimet hetimore, po fiksohen të gjitha provat, po pyeten dëshmitarët dhe do të jemi për një njoftim të dytë sapo të kemi diçka të re në lidhje me këtë ngjarje”, u shpreh Muçaj.

Policia nuk ka bërë ende publike motivin e vrasjes dhe as detaje mbi pistat e hetimit, duke argumentuar se ato nuk mund të bëhen publike në këtë fazë.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorit ose autorëve dhe përcaktimin e lidhjes së mundshme mes vrasjes dhe automjetit të djegur.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit