

Tiranë, 3 shtator 2026 – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e nismës “Prania Besnike”, përmes së cilës deputetët socialistë do të jenë çdo të premte, në orën 17:00, në dispozicion të qytetarëve për të dëgjuar problematikat dhe shqetësimet e tyre.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama theksoi se nisma nuk do të ketë karakter elektoral dhe nuk do të përdoret për mbledhje partiake.
Sipas tij, takimet do të zhvillohen drejtpërdrejt, pa kamera dhe pa elementë propagandistikë. Qytetarët do të kenë mundësi të takohen me përfaqësuesit e tyre, ndërsa deputetët do të mbajnë shënim problematikat e ngritura për t’i përcjellë më pas te institucionet përgjegjëse.
“Prania Besnike nuk është kalendar elektoral, as organizativ. Është pjesë e një sistemi që e kthen dëgjimin në kusht dhe kushtin në detyrim për t’u përgjigjur”, tha Rama.
Kryeministri e lidhi këtë nismë me një tjetër prej projekteve të prezantuara prej tij, “Besa”, të cilën e shpjegoi si akronim të fjalëve Besim, Empati, Shërbim dhe Angazhim.
“Transparenca nuk mjafton, kërkon përgjegjësi dhe pa përgjegjësinë është kronikë. Arsyeja e Pasqyrës është e pamjaftueshme pa Besën, busulla që orienton qasjen e çdo pushteti”, u shpreh ai.
Rama pranoi se Partia Socialiste ka zhvilluar ndër vite një numër të madh takimesh në të gjithë vendin, por sipas tij, kjo nuk ka qenë gjithmonë e mjaftueshme për të qenë pranë problematikave konkrete të qytetarëve.
“Kemi qenë kudo në hartë, në çdo pikë të hartës, por kemi munguar në pikën e hallit të njeriut”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, distanca mes përfaqësuesve politikë dhe qytetarëve nuk matet me largësinë fizike, por me mënyrën se si dëgjohet qytetari kur shpreh një problem.
Rama tha se qytetarët duhet ta dinë qartë se ku dhe kur mund të takojnë përfaqësuesit e tyre.
“Çdo të premte në orën 5 është fillimi i një procesi të pranisë në gjithë territorin që nuk do ndalet në asnjë të premte, nuk do ndryshojë orë, deri sa unë të jem në krye të PS”, u shpreh ai.
Ai theksoi se “Prania Besnike” nuk do të jetë një seri mbledhjesh partiake, por takime individuale me qytetarët.
“Prania Besnike nuk është për mbledhje, është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët. Kushdo të qajë hallin e tij vjen dhe pret momentin ku do të ulet në tryezë me përfaqësuesit e tij dhe do të mbajë shënim”, tha Rama.
Nisma është prezantuar si pjesë e një reforme më të gjerë të Partisë Socialiste dhe qeverisë për të ndryshuar mënyrën e komunikimit me qytetarët dhe për t’i lidhur problematikat e ngritura prej tyre me institucionet përgjegjëse.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






