Transmetuar më 03-09-2026, 10:55

Tiranë, 3 shtator 2026 – Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar mënyrën se si pritet të funksionojë portali i ri “Pasqyra Albania”, duke e cilësuar atë si një formë të re të marrëdhënies mes qytetarit dhe shtetit.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se portali synon t’u japë qytetarëve akses jo vetëm te informacioni zyrtar, por edhe te dokumentacioni që qëndron pas vendimeve dhe proceseve të qeverisë.

Sipas kryeministrit, portalet institucionale deri më tani kanë funksionuar kryesisht si hapësira ku publikohet informacion, ndërsa qytetari duhet të kërkojë vetë mes materialeve për të gjetur të dhënat që i nevojiten.

“Pasqyra Albania është kontratë, një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin”, deklaroi Rama, duke shtuar se qytetari duhet të ketë mundësi të kuptojë jo vetëm se çfarë ka deklaruar qeveria, por edhe se çfarë po bën ajo në emër të tij.

Rama tha se përmes portalit qytetarët do të mund të gjejnë dokumentet që lidhen me vendimmarrjen, arsyet e një vendimi, institucionin apo personat përgjegjës për një çështje, si dhe bazën ligjore mbi të cilën është ndërmarrë një veprim.

Një tjetër element që kryeministri veçoi është mundësia për të ndjekur ecurinë e proceseve, përfshirë rastet kur ato vonohen.

“Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, jo me muhabete, me procesverbale, jo me komunikata për shtyp, çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh realisht”, u shpreh Rama.

Sipas tij, kjo qasje synon të ndryshojë pozicionin e qytetarit përballë administratës, duke e kaluar atë nga një person që kërkon informacion në mënyrë të shpërndarë, në një qytetar që mund të kontrollojë dhe verifikojë vetë të dhënat.

Rama e lidhi gjithashtu funksionimin e portalit me luftën ndaj dezinformimit. Sipas tij, qytetarët duhet të kenë një burim zyrtar ku mund të verifikojnë me dokumente informacionin që lidhet me shërbimet publike dhe proceset shtetërore.

Në këtë kuadër, ai tha se “Pasqyra Albania” duhet të përmbajë bazën dokumentare, shifrat, provat, procesverbalet, opinionet e ekspertëve, arsyet e vonesave dhe personat përgjegjës për proceset që nuk ecin sipas parashikimeve.

“Duke e kaluar nga një kërkues në xhungël, në labirintin e pasqyrave digjitale të informacionit dhe nga një viktimë e dezinformimit, në një kapacitet të plotë mbikëqyrësi”, tha Rama.

Portali “Pasqyra Albania” është prezantuar nga kryeministri si një prej elementeve të një reforme më të gjerë në marrëdhënien qytetar-shtet, krahas nismave të tjera të shpallura prej tij.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit