Transmetuar më 03-09-2026, 10:53

Tiranë, 3 shtator 2026 – Kryeministri Edi Rama ka renditur tre problematika që, sipas tij, vijojnë të dëmtojnë marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit.

Gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku marrin pjesë edhe ministrat, Rama u ndal te nismat “Besa”, “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania”, të cilat i ka prezantuar si pjesë të një qasjeje të re për komunikimin me qytetarët dhe adresimin e problematikave të tyre.

Rama i cilësoi tre problematikat si “plagë” që, sipas tij, ushqejnë njëra-tjetrën. E para është ajo që ai e quajti “shteti labirint”, ku qytetari nuk ka të qartë se cila strukturë apo cili institucion duhet t’i japë përgjigje për një problem të caktuar.

“Qytetari nuk di kur dhe kush duhet t’i përgjigjet”, u shpreh kryeministri.

Si problem të dytë, Rama identifikoi mungesën e memories institucionale. Sipas tij, institucionet nuk mbajnë gjithmonë një gjurmë të qartë të angazhimeve dhe vendimeve të marra, duke bërë që të mos ketë një pasqyrë të plotë se çfarë është realizuar, çfarë ka mbetur pezull, çfarë është vonuar apo çfarë ka ndryshuar gjatë procesit.

“Premtohet, flitet, vendoset, por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës”, tha Rama.

Problematika e tretë, sipas kryeministrit, lidhet me perceptimin se njohjet dhe lidhjet personale mund të vlejnë më shumë se merita dhe ligji.

Rama e përshkroi këtë si “plaga e derës që nuk duket”, duke iu referuar rasteve kur qytetarët mund të kenë bindjen se për të marrë një shërbim apo një vend pune, njohjet mund të jenë më të rëndësishme se kriteret e meritës.

“Njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji”, deklaroi kryeministri.

Në këtë kuadër, Rama tha se “Pasqyrë Albania”, “Prania Besnike”, “Besa” dhe “Shkalla e Meritës” janë pjesë e një përpjekjeje të përbashkët për t’iu përgjigjur këtyre problematikave dhe për të ndryshuar mënyrën e funksionimit dhe komunikimit të administratës me qytetarët.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit