Transmetuar më 03-09-2026, 10:39

Mirditë – Vrasja e Viktor Bardhit mëngjesin e sotëm në Ndërfushas rikthen në vëmendje një histori të gjatë përplasjesh mes familjeve Bardhi dhe Reçi në Mirditë, një konflikt që ndër vite është shoqëruar me disa ngjarje të rënda kriminale.

Viktor Bardhi u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e 3 shtatorit në fshatin Ndërfushas. Ai ishte vëllai i Martin Bardhit, i cili u vra në shtator të vitit 2023 në Rrëshen. Autorët e atentatit të sotëm ende nuk janë identifikuar.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave. Janë ngritur pika kontrolli në zonë, ndërsa grupet hetimore po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.

Përplasja mes familjeve Bardhi dhe Reçi është një histori që, sipas të dhënave të bëra publike ndër vite, daton që prej vitit 1995.

1995 – Vritet Ilir Reçi

Në 1 maj 1995, Ilir Reçi, kushëri dhe mik i ngushtë i Kastriot Reçit, u vra në Rrëshen pas një konflikti me pjesëtarë të familjes Bardhi.

Sipas të dhënave të publikuara për ngjarjen, përplasja kishte nisur pas një konflikti mes Ilir Reçit dhe një prej pjesëtarëve të familjes Bardhi. Reçi, i konsideruar në atë kohë si një prej personave me ndikim në Rrëshen, i kishte kërkuar pjesëtarit të familjes Bardhi që familjarët e tij të mos kalonin lumin Fan dhe të hynin në qytet.

Pas këtij konflikti, Pjetër Bardhi, në atë kohë oficer ushtrie, shkoi në Rrëshen dhe qëlloi për vdekje Ilir Reçin me armën e shërbimit.

Pjetër Bardhi u shpall në kërkim dhe u dënua në mungesë për vrasjen. Për një periudhë të gjatë pas kësaj ngjarjeje, mes dy familjeve nuk u raportuan përplasje të tjera të armatosura.

26 mars 2023 – Qëllohet automjeti i blinduar i Sajmir Reçit

Pas shumë vitesh, konflikti u rikthye në vëmendje në mars të vitit 2023.

Më 26 mars, Sajmir Reçi, nipi i Kastriot Reçit, u përfshi në një konflikt me Enrik Bardhin pas një incidenti në rrugë, që sipas Policisë lidhej me një parakalim me automjete.

Pas përplasjes fizike, situata u përshkallëzua. Sipas të dhënave të hetimit të bëra publike në atë kohë, Enrik Bardhi dhe babai i tij, Martin Bardhi, morën një armë zjarri dhe qëlluan në drejtim të automjetit të Sajmir Reçit.

Automjeti ishte i blinduar dhe Reçi shpëtoi pa u plagosur.

Për ngjarjen, Policia shpalli në kërkim Martin dhe Enrik Bardhin, si dhe Kristian Bardhin. Martin Bardhi u arrestua, ndërsa të tjerët vijuan të ishin në kërkim.

26 shtator 2023 – Ekzekutohet Martin Bardhi

Vetëm gjashtë muaj pas atentatit ndaj Sajmir Reçit, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi Rrëshenin.

Më 26 shtator 2023, Martin Bardhi u qëllua për vdekje në lokalin e tij, pranë hyrjes së spitalit të Rrëshenit, vetëm disa dhjetëra metra nga Komisariati i Policisë.

Në momentin e atentatit, Bardhi ndodhej jashtë lokalit së bashku me tre persona të tjerë. Autorët hapën zjarr me armë automatike, duke shkaktuar vdekjen e Martin Bardhit dhe plagosjen e tre personave që ndodheshin me të.

Autorët e kësaj vrasjeje nuk janë identifikuar zyrtarisht.

13 janar 2025 – Ekzekutohet Kristian Bardhi

Më 13 janar 2025, një tjetër pjesëtar i familjes Bardhi u vra në një atentat në aksin Fier–Vlorë.

Kristian Bardhi, 30 vjeç, po udhëtonte me automjetin e tij në drejtim të Vlorës, kur u sulmua nga persona të armatosur pranë mbikalimit të Novoselës.

Sipas të dhënave të bëra publike pas ngjarjes, autorët dyshohet se e ndoqën automjetin dhe hapën zjarr në drejtim të tij. Bardhi u godit nga plumbat dhe humbi kontrollin e automjetit, i cili u përplas me trafikndarësen.

Edhe kjo ngjarje mbeti pa një autor të identifikuar publikisht.

3 shtator 2026 – Vritet Viktor Bardhi

Mëngjesin e sotëm, historia e përplasjeve merr një tjetër kthesë me vrasjen e Viktor Bardhit në Ndërfushas të Mirditës.

Viktor Bardhi, vëllai i Martin Bardhit, u qëllua me armë zjarri dhe humbi jetën. Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka nisur kontrollet për kapjen e tyre.

Hetuesit po mbledhin provat në vendngjarje dhe po verifikojnë të gjitha pistat e mundshme për motivin e vrasjes.

Në fokus pritet të jetë edhe pista e një konflikti të mundshëm të trashëguar ndër vite mes familjeve Bardhi dhe Reçi. Megjithatë, deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se vrasja e Viktor Bardhit është pjesë e një zinxhiri hakmarrjesh.

Nga vrasja e Ilir Reçit në vitin 1995, te atentati ndaj Sajmir Reçit në vitin 2023, ekzekutimi i Martin Bardhit po atë vit, vrasja e Kristian Bardhit në vitin 2025 dhe tashmë ekzekutimi i Viktor Bardhit, historia e këtyre familjeve mbetet një prej episodeve më të rënda kriminale të regjistruara ndër vite në Mirditë.

Hetimet për vrasjen e fundit vijojnë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse autoritetet do të gjejnë një lidhje mes ngjarjes së sotme dhe episodeve të mëparshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit