Transmetuar më 03-09-2026, 08:14

Familja e Erin Piacenti, 32-vjeçares që humbi jetën në sulmin me thikë në Times Square, ka publikuar një deklaratë prekëse, duke rrëfyer dhimbjen e humbjes dhe jetën që ajo la pas.

Piacenti ishte zv/presidente në Bank of America dhe, përtej karrierës së saj, përshkruhet nga familjarët si një bashkëshorte e përkushtuar dhe një nënë e re. Ajo la pas bashkëshortin e saj, Frank Piacenti, dhe vajzën e tyre Madison, vetëm pesë muajshe.

“Jeta e Erin nuk u përcaktua nga rrethanat e vdekjes së saj, por nga mënyra se si ajo e jetoi atë”, thuhet në deklaratën e familjes.

Të afërmit e kujtojnë 32-vjeçaren si një person të dashur, energjik dhe të përkushtuar ndaj njerëzve që kishte pranë. Për familjen, një nga dëshirat më të mëdha të saj ishte të bëhej nënë.

“Bërja nënë ishte dëshira më e madhe e jetës së saj dhe Madison i dha gëzimin më të madh të mundshëm”, thuhet në faqen e fushatës së mbledhjes së fondeve të krijuar për të siguruar të ardhmen e vajzës.

Nga universiteti te jeta familjare

Erin dhe Frank Piacenti ishin njohur gjatë studimeve në Fordham University Law School dhe më pas ndërtuan karrierat e tyre në fushën e ligjit dhe biznesit.

Çifti u martua më 10 gusht 2024 dhe vetëm një vit më parë kishte blerë shtëpinë e parë në Chester, New Jersey. Ata po ndërtonin jetën familjare dhe po shijonin muajt e parë me vajzën e tyre.

Por gjithçka ndryshoi papritur.

“Të dy po përgatiteshin të ndërtonin një jetë me vajzën e tyre. Ajo jetë ndryshoi në mënyrë të paimagjinueshme në një çast”, deklaroi familja.

Pas humbjes së Erin, familjarët kanë nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve për Madison, me synimin për t’i ofruar vajzës mbështetje financiare ndërsa rritet pa nënën e saj.

Dhimbje edhe te kolegët

Lajmi për vdekjen e Piacenti ka prekur edhe kolegët e saj në Bank of America, ku ajo kishte punuar për rreth 18 muaj si zv/presidente në grupin e përzgjedhjes së biznesit dhe konflikteve.

Ajo u përshkrua nga kolegët si një profesioniste e aftë dhe një person i dashur. Banka shprehu dhimbjen për humbjen e një kolegeje dhe mike të çmuar.

Sulmi në Times Square

Sipas autoriteteve, Erin Piacenti u godit me thikë nga Pamela Cisneros, 49 vjeçe, nga Queens. Në të njëjtin sulm mbeti i plagosur rëndë edhe Tak Kam, 68 vjeç, nga Rhode Island.

Autoritetet thanë se Cisneros kishte pasur probleme kronike të shëndetit mendor. Pas sulmit, ajo u qëllua për vdekje nga efektivët e policisë së New York-ut, pasi, sipas autoriteteve, tentoi t’i sulmonte me nga një thikë në secilën dorë.

Humbja e Erin Piacenti ka lënë pas një familje të re, e cila vetëm pak kohë më parë po ndërtonte një të ardhme së bashku. Tashmë, vajza e saj Madison do të rritet me kujtimet dhe rrëfimet e njerëzve që e njohën dhe e deshën nënën e saj.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit