

Nëse përdorni një kartë bankare të lëshuar jashtë Shqipërisë për të tërhequr para ose për të kryer pagesa në vend, së shpejti do të keni më shumë informacion për kostot që lidhen me këmbimin valutor.
Banka e Shqipërisë ka miratuar ndryshime në kuadrin rregullator për shërbimet e pagesave, duke vendosur kërkesa më të qarta për mënyrën se si klientët duhet të informohen për kursin e këmbimit dhe tarifat përpara autorizimit të një transaksioni.
Një nga pikat kryesore prek pagesat me kartë në terminalet POS dhe tërheqjet në ATM. Ofruesi i shërbimit të këmbimit duhet t’i tregojë klientit, në përqindje, diferencën mes kursit të përdorur për transaksionin dhe kursit më të fundit të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Kjo diferencë, e njohur si “mark-up”, duhet të shfaqet përpara se klienti të konfirmojë veprimin.
Por qytetari nuk do të informohet vetëm për kursin.
Para përfundimit të transaksionit, duhet të bëhet e qartë edhe sa para do të marrë përfituesi në monedhën e tij dhe sa do të zbritet nga llogaria e paguesit, në monedhën në të cilën mbahet llogaria.
Klienti duhet të njoftohet gjithashtu se ka mundësi ta kryejë pagesën në monedhën e përdorur nga përfituesi dhe ta lërë konvertimin e valutës në dorë të ofruesit të shërbimit të pagesës.
I njëjti informacion duhet të jetë i aksesueshëm edhe pasi transaksioni të ketë përfunduar, përmes një mjeti të qëndrueshëm komunikimi.
Çfarë ndryshon për transfertat online?
Rregullat e reja shtrihen edhe te transfertat e kreditit të kryera përmes internetit ose aplikacioneve bankare, kur transaksioni përfshin konvertim valutor.
Në këto raste, përpara se klienti të autorizojë transfertën, ofruesi i shërbimit duhet t’i paraqesë qartë tarifat dhe kostot e këmbimit.
Klienti duhet të shohë shumën totale që do t’i debitohet nga llogaria e tij, në monedhën përkatëse, duke përfshirë tarifat e transfertës dhe koston e konvertimit. Paralelisht, duhet të bëhet e ditur edhe shuma që do të marrë përfituesi në monedhën e tij.
Më shumë transparencë për përdoruesit e kartave të huaja
Ndryshimet marrin rëndësi të veçantë për personat që përdorin karta të lëshuara nga banka jashtë Shqipërisë. Në këtë kategori përfshihen turistët e huaj, por edhe shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe përdorin llogaritë e bankave të huaja gjatë qëndrimit në Shqipëri.
Kostot e tërheqjeve cash në ATM kanë qenë prej kohësh një çështje e ndjeshme për përdoruesit e kartave ndërkombëtare, veçanërisht kur transaksioni shoqërohet me konvertim valutor.
Edhe më herët kanë ekzistuar kërkesa për transparencë mbi komisionet dhe kursin e këmbimit. Rrjetet ndërkombëtare të kartave, përfshirë Visa dhe Mastercard, kërkojnë që kostot përkatëse të shfaqen në ATM përpara se përdoruesi të përfundojë transaksionin.
Me rregullat e reja, Banka e Shqipërisë synon të përcaktojë më saktë informacionin që duhet t’i komunikohet klientit, në mënyrë që ai të mund të vlerësojë paraprakisht kursin e këmbimit, tarifat dhe shumën përfundimtare të transaksionit.
Në praktikë, përdoruesi do të ketë më shumë të dhëna përpara se të shtypë butonin e konfirmimit dhe të vendosë nëse do ta kryejë apo jo transaksionin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






