Transmetuar më 03-09-2026, 07:19

Artistët e institucioneve publike të artit dhe kulturës mund të përfitojnë nga një skemë e posaçme financiare përpara moshës së pensionit. Projektligji, i hedhur për konsultim publik, parashikon një pagesë mujore nga shteti, si dhe mbulimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën e përfitimit.

Një nga risitë kryesore të draftit lidhet me akrobatët, balerinët dhe valltarët, të cilët mund të përfitojnë nga skema që në moshën 47 vjeç, nëse plotësojnë kriterin e të paktën 15 viteve të performancës skenike dhe 15 viteve të sigurimeve shoqërore.

Për këngëtarët lirikë-solistë dhe këngëtarët-koristë, mosha minimale për përfitimin e skemës përcaktohet në 57 vjeç, ndërsa kërkesat për vitet e performancës skenike dhe sigurimeve shoqërore janë më të larta.

Sipas projektligjit, plotësimi i kritereve për përfitim përbën një “shkak të posaçëm ligjor për përfundimin e marrëdhënies së punës”, duke i hapur rrugë kalimit të artistit në skemën financiare. Verifikimi i kushteve do të kryhet nga institucioni publik, i cili më pas do të nxjerrë aktin për përfundimin e marrëdhënies së punës dhe nisjen e përfitimit.

Sa do të paguhen artistët?

Për pesë vitet e para, përfituesit do të marrin 70% të pagës bruto mujore që kanë përfituar në muajin e fundit të punës.

Pas përfundimit të kësaj periudhe, pagesa do të ulet në 50% të pagës neto mujore të referencës për profesionin dhe kategorinë përkatëse. Ky përfitim do të vijojë deri në momentin kur lind e drejta për pension.

Relacioni i projektligjit argumenton se skema synon të mbulojë periudhën mes përfundimit të karrierës aktive në skenë dhe daljes në pension, duke marrë në konsideratë kërkesat e veçanta fizike dhe vokale të profesioneve artistike.

Kontributet do të mbulohen nga shteti

Skema nuk parashikon vetëm pagesën mujore. Periudha gjatë së cilës artisti përfiton trajtimin financiar do të njihet si periudhë sigurimi, ndërsa kontributet shoqërore dhe shëndetësore do të paguhen nga Buxheti i Shtetit.

Në skemë parashikohet të përfshihen pesë kategori: akrobatët, balerinët, valltarët, këngëtarët-solistë lirikë dhe këngëtarët-koristë, me kusht që të kenë ushtruar profesionin në institucione publike të artit dhe kulturës.

Lista e institucioneve që do të përfshihen në këtë skemë do të përcaktohet më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kriteret për këngëtarët lirikë dhe koristët

Për këngëtarët lirikë-solistë kërkohen të paktën 20 vite performancë skenike dhe 20 vite sigurime shoqërore.

Ndërsa për këngëtarët-koristë parashikohen të paktën 20 vite performancë skenike dhe 25 vite sigurime shoqërore.

Të dyja kategoritë mund të përfitojnë nga skema duke nisur nga mosha 57 vjeç. Artistët mund të angazhohen deri në 250 orë në vit

Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë që përfituesit, me kërkesë të institucionit publik, të angazhohen deri në 250 orë në vit në aktivitete trajnuese, promovuese, artistike, kulturore apo në mentorim profesional, pa shpërblim shtesë.

Ky angazhim nuk do të konsiderohet marrëdhënie pune dhe nuk mund të përdoret për rikthimin e detyrueshëm të artistit në ushtrimin e rregullt të profesionit skenik.

Kostoja për buxhetin

Sipas relacionit të projektligjit, kostoja e parashikuar për Buxhetin e Shtetit për periudhën 2027-2029 është rreth 50.8 milionë lekë.

Efekti financiar vlerësohet në 36.06 milionë lekë për vitin 2027, 7.38 milionë lekë për vitin 2028 dhe 7.37 milionë lekë për vitin 2029.

Megjithatë, relacioni thekson se këto shifra mund të ndryshojnë pas përfundimit të procesit të konsultimit publik, në varësi të numrit të përfituesve, kritereve për përfitim dhe masës së pagesës.

Projektligji parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027. Këshilli i Ministrave do të ketë gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e ligjit për miratimin e akteve nënligjore që do të përcaktojnë mënyrën e administrimit, financimit dhe realizimit të pagesave.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit