

Situata e zjarreve vijon të jetë problematike në disa zona të vendit, ndërsa strukturat e emergjencave janë në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive.
Sipas të dhënave të fundit, gjatë orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri, ndërsa në operacione janë angazhuar 183 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 80 forca të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Dajti dhe Mati, zonat më problematike Një nga vatrat kryesore vijon të jetë në Dajt–Qafë Priskë, ku situata mbetet problematike, por sipas informacionit të fundit nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në Vajkal të Bulqizës, zjarri ka përshkuar më shumë se 13 hektarë dhe në terren vijon puna me një numër të konsiderueshëm forcash.
Situatë më e rënduar paraqitet në Lundre të Matit, ku flakët kanë përshkuar ose djegur rreth 90–100 hektarë pyll. Për ndërhyrjen është përdorur edhe një helikopter i Forcave të Armatosura.
Një tjetër vatër aktive raportohet në Mallunxë të Matit, ku ekipet po vijojnë punën për shuarjen e zjarrit në zonë pyjore.
Disa vatra nën mbikëqyrje Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe në malin e Qukësit janë vendosur nën mbikëqyrje.
Në Iballë të Fushë-Arrëzit, terreni i thyer dhe vështirësisht i aksesueshëm ka vështirësuar ndërhyrjen e forcave në tokë. Për këtë arsye është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura dhe situata vijon të monitorohet.
Ndërkohë, zjarret në Podgorc, Psar dhe Therepel të Skraparit janë shuar plotësisht.
Në Therepel, flakët kishin rrezikuar edhe tubacionin e gazsjellësit TAP, por situata tashmë është normalizuar.
Forcat operacionale vijojnë të monitorojnë zonat e prekura dhe të ndërhyjnë në vatrat aktive, me prioritet mbrojtjen e zonave të banuara dhe infrastrukturës kritike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






