

Banka Qendrore e Holandës (DNB) ka zhvendosur 86 tonë ar, me një vlerë të përllogaritur rreth 10 miliardë euro, nga rezervat e mbajtura në Amerikën e Veriut drejt Londrës.
Sipas DNB-së, vendimi lidhet me rritjen e paqëndrueshmërisë politike dhe nevojën për të garantuar gatishmërinë e vendit për përballimin e krizave të mundshme gjeopolitike.
Nga sasia e transferuar, rreth 59 tonë ar janë zhvendosur përmes shitjes së shufrave në tregun e Amerikës së Veriut dhe blerjes së një sasie ekuivalente në tregun londinez. Ndërkohë, 27 tonë janë transportuar fizikisht fillimisht drejt Holandës dhe më pas në Londër.
Sipas bankës qendrore holandeze, një pjesë më e madhe e rezervave në Londër mundëson akses dhe likuidim më të shpejtë të arit, në rast se nevojiten fonde urgjente.
Si janë shpërndarë rezervat e arit?
Në fund të vitit 2025, Holanda dispononte rreth 614 tonë ar, me një vlerë të përafërt prej 72 miliardë eurosh.
Pas zhvendosjes, rezervat janë shpërndarë në mënyrë më të balancuar mes Holandës, Londrës dhe Amerikës së Veriut. Pjesa e arit të mbajtur në Nju Jork ka rënë nga 31.3% në 18.5%.
DNB synon që përmes kësaj shpërndarjeje të diversifikojë rreziqet dhe të sigurojë akses më të shpejtë në rezervat e arit në rast të një krize financiare ose gjeopolitike.
Lëvizja vjen në një periudhë të pasigurisë së shtuar në ekonominë dhe politikën ndërkombëtare, ku bankat qendrore po i kushtojnë vëmendje të veçantë menaxhimit dhe shpërndarjes së rezervave strategjike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






