

Aktivistja foli në protestën e 95-të kundër qeverisë dhe kërkoi lirimin e protestuesve të shoqëruar nga policia
Aktivistja Luçiana Kokaj ka mbajtur fjalën e saj në protestën e 95-të kundër qeverisë, duke kërkuar lirimin e protestuesve të shoqëruar nga policia gjatë tubimit të një dite më parë para Kryeministrisë.
Kokaj deklaroi se arrestimet dhe shoqërimet nuk do t’i ndalin protestuesit dhe bëri thirrje që përgjegjësia të kërkohet te drejtuesit e qeverisë së Edi Ramës.
Sipas saj, protesta do të vijojë deri në largimin e qeverisë.
“Kanë arrestuar motrat dhe vëllezërit tanë. Harrojnë se nuk i trembin dot me arrestime. Harrojnë se ata kanë gjakun e Gjergj Kastriotit. Duhet të arrestoni ata që janë në qeveri që na kanë grabitur prej vitesh”, deklaroi Kokaj.
Ajo i cilësoi si “turp të kombit” personat që, sipas saj, kanë dhënë urdhrin për arrestimin e protestuesve.
“Ne do të protestojmë këtu derisa kjo qeveri e korruptuar të shporret njëherë e mirë. Armiku ynë i përbashkët është më i rëndësishëm se ndasitë tona të vogla. Sonte dhe në vazhdim, derisa kjo qeveri të shporret, të jemi të gjithë së bashku”, u shpreh aktivistja.
Protesta e 95-të vjen pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë, i cili u shoqërua me tensione dhe me shoqërimin e disa protestuesve nga policia.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






