Transmetuar më 02-09-2026, 19:50

Anela Osmani është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të “Mashtrimit”, pas kallëzimit të bërë nga Kejvina Kthella për një shumë prej 8 mijë eurosh.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore, Osmani dyshohet se ka marrë shumën në ruajtje nga Kthella dhe më pas nuk ia ka kthyer. Çështja është hetuar nga prokurori Bledar Valikaj dhe tashmë dosja është dërguar për gjykim.

Osmani, e cila sipas të dhënave të dosjes ushtron detyrën e kryeinspektores në një institucion të shëndetësisë, është proceduar për veprën penale të “Mashtrimit”. Nëse shpallet fajtore, ajo rrezikon dënim deri në 5 vite burgim.

Si u dhanë 8 mijë eurot

Sipas kallëzimit të bërë nga Kejvina Kthella në Policinë e Tiranës, shuma prej 8 mijë eurosh ishte kursyer prej saj nga të ardhurat e punës.

Kthella ia kishte lënë paratë në ruajtje shoqes së saj, Anela Osmani, pasi do të largohej për në Lezhë, ku do të qëndronte te të afërmit. Sipas kallëzimit, vendimi për t’ia dorëzuar paratë Osmanit ishte marrë edhe për shkak se në banesën e saj në Tiranë do të shkonte pastruesja.

Sipas versionit të paraqitur në dosje, pas marrjes së parave Osmani nuk ia ka kthyer shumën Kthellës.

“Paratë janë në kasafortë”

Kur Kthella i ka kërkuar kthimin e shumës, sipas dëshmisë së saj, Osmani i ka thënë se paratë i kishte vendosur në kasafortë, por nuk mund ta hapte atë pasi kishte harruar kodin.

Pas këmbënguljes së Kthellës, kasaforta është hapur, por sipas kallëzimit, paratë nuk janë gjetur aty.

Më pas, sipas materialeve të çështjes, Osmani ka dhënë një tjetër shpjegim, duke pretenduar se 8 mijë eurot i kishte depozituar në llogarinë e saj bankare. Ajo kishte deklaruar se llogaria ishte bllokuar për shkak të procedurave përmbarimore dhe se nuk mund të kryente tërheqjen e parave.

Pas këtyre pretendimeve, Kthella iu drejtua Policisë së Tiranës dhe depozitoi kallëzim penal ndaj shoqes së saj.

Çështja shkon në gjykatë

Kallëzimi është bërë në fillim të majit 2026, ndërsa më 7 maj materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Në fazën fillestare të procedimit, prokurori kërkoi ndaj Osmanit masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, masë që u caktua nga Gjykata e Tiranës.

Pas hetimeve të kryera gjatë muajve në vijim, Prokuroria e Tiranës ka vendosur ta marrë Osmanin të pandehur dhe ta dërgojë dosjen në gjykatë për akuzën e “Mashtrimit”.

Tashmë do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë provat dhe pretendimet e palëve dhe do të përcaktojë përgjegjësinë penale të të pandehurës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit