

Gjykata e Lartë i ka kërkuar Ministrisë së Financave zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të gjyqtarëve, pas informacionit se pagesat janë bllokuar në sistemin e thesarit për shkak të mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Në një shkresë drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, me dijeni ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, argumenton se mungesa e ndryshimeve të reja ligjore apo e fondeve të parashikuara në buxhet nuk mund të shërbejë si justifikim për pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Gjykatës së Lartë, vendimi nr. 15/2026 i ka ngarkuar Kuvendit detyrimin për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore deri më 31 korrik 2026. Në interpretimin e paraqitur në shkresë, pas kësaj date formula e mëparshme e pagës së magjistratëve nuk mund të vijojë të prodhojë efekte juridike.
Gjykata e Lartë argumenton më tej se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar edhe pasojat në rast të mosveprimit të Kuvendit, duke iu referuar formulës së pagës së funksionarëve të administratës së lartë publike, në përputhje me standardin e vendimit nr. 35/2022.
Si është përcaktuar paga referuese
Në shkresë përmendet edhe vendimi nr. 435, datë 26 gusht 2026, i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjykata e Lartë thekson se ky vendim nuk ka krijuar një politikë të re pagash, por ka konkretizuar mënyrën e zbatimit të detyrimit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Për periudhën nga 1 gushti 2026 e në vijim, sipas shkresës, paga referuese bazë është përllogaritur mbi bazën e pagës për pozicion prej 222.425 lekësh, së cilës i shtohet shtesa e nivelit të kualifikimit prej 14.000 lekësh, duke e çuar shumën në 236.425 lekë.
Gjykata e Lartë kundërshton gjithashtu argumentin se mungesa e planifikimit buxhetor mund të përdoret si arsye për bllokimin e pagave. Sipas saj, fondet shtesë mund të sigurohen përmes mekanizmave të parashikuar nga legjislacioni buxhetor, ndërsa detyrimi për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbetet në fuqi.
Katër kërkesat e Gjykatës së Lartë
Në përfundim të shkresës, Gjykata e Lartë i kërkon Ministrisë së Financave:
Zhbllokimin e menjëhershëm të pagesave mujore të gjyqtarëve. Zbatimin e pagës referuese bazë duke nisur nga 1 gushti 2026. Alokimin e fondeve shtesë që mund të nevojiten për pagesat korrente. Trajtimin e diferencave financiare për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026, sipas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. “Respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është çështje vullneti institucional, por detyrim kushtetues për çdo organ të Republikës”, thuhet në përfundim të shkresës së firmosur nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






