Transmetuar më 02-09-2026, 18:38

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së Federatës Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet pas incidenteve të regjistruara në javën e dytë të Abissnet Superiores, duke dhënë një sërë dënimesh ndaj klubeve dhe zyrtarëve të ekipeve.

Goditjen më të fortë e ka marrë Vllaznia, me zyrtarin e klubit, Alban Xhaferi, që është dënuar me 15 ndeshje pezullim për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Në zbatim të vendimit, Xhaferit i ndalohet gjithashtu hyrja në të gjitha stadiumet gjatë zhvillimit të veprimtarive sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundimin e dënimit.

Edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, është dënuar me 6 ndeshje pezullim për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Ndërkohë, ndihmësi i tij, Elis Dervishaj, është pezulluar për 4 ndeshje, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të takimit.

Një tjetër emër i njohur i futbollit shqiptar që është dënuar nga Komisioni i Disiplinës është trajneri i Dinamo City, Ilir Daja. Për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, Daja është pezulluar për 2 ndeshje.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës

AF Elbasani – gjobë 100 mijë lekë për mospërmbushje të përgjegjësive lidhur me rendin dhe sigurinë, pas incidenteve të ndodhura pas përfundimit të ndeshjes. Alban Xhaferi, KF Vllaznia – 15 ndeshje pezullim për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes. I ndalohet hyrja në stadiume gjatë periudhës së dënimit. Edi Martini, KF Vllaznia – 6 ndeshje pezullim për shkelje të rregullave të sjelljes dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Elis Dervishaj, KF Vllaznia – 4 ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj zyrtarëve. Ilir Daja, FC Dinamo City – 2 ndeshje pezullim për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes. Human Lancaster Rowan, FK Partizani – është pranuar kërkesa për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit, në bazë të nenit 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës. KF Delvina – është rrëzuar kërkesa për faljen e dënimit për zhvillimin e ndeshjeve pa spektatorë. Brajan Selmani, KF Iliria – është rrëzuar kërkesa e lojtarit si e pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës. Bruno Telushi, KF Oriku – është rrëzuar kërkesa e lojtarit si e pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës. Kundër këtyre vendimeve lejohet ankim brenda 3 ditëve pranë Komisionit të Apelit.

Dënimet vijnë në një moment kur FSHF ka intensifikuar masat disiplinore ndaj episodeve të dhunës, sjelljeve josportive dhe shkeljeve të rregullave në futbollin shqiptar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit