

Blendi Sulaj ka reaguar pas largimit nga detyra e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, përgjegjës për kontrollin e territorit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sulaj ka falënderuar drejtuesit dhe administratën e Bashkisë së Tiranës për bashkëpunimin gjatë periudhës së tij në detyrë, ndërsa ka vlerësuar angazhimin e strukturave të bashkisë në shërbim të qytetarëve.
Në mesazhin e tij, Sulaj i ka shprehur mirënjohjen kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë ushtrimit të detyrës. Ai ka veçuar ndërhyrjet për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.
Sulaj ka bërë gjithashtu të ditur se do të angazhohet në fushatën elektorale në mbështetje të Partisë Socialiste dhe Ogerta Manastirliut për Bashkinë e Tiranës.
Megjithatë, kandidatura e Manastirliut për Bashkinë e Tiranës nuk është konfirmuar zyrtarisht deri në këtë moment.
Në fund të reagimit të tij, Sulaj ka deklaruar se do t’i përkushtohet sfidës elektorale dhe ka përcjellë mesazhin për një Tiranë që, sipas tij, duhet të jetë në fokus të përpjekjeve të përbashkëta.
Postimi i plotë i Blendi Sulajt:
“Të nderuar miq,
Prej një viti kam mbajtur postin e nënkryetarit për kontrollin e territorit në Bashkinë e Tiranës. Dua të ndaj me ju vlerësimin maksimal për nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, shefat e sektorëve dhe çdo punonjës të thjeshtë të Bashkisë së Tiranës. Janë njerëz që punojnë me shpirt çdo ditë për t’u shërbyer qytetarëve dhe shpesh jo në kushte normale pune.
Dua të falënderoj Kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që më dha gjatë kësaj kohe, ku udhëhoqëm lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.
Me padurim dhe plot energji do t’i përkushtohem sfidës elektorale në mbështetje të PS-së dhe kandidates Ogerta Manastirliu.
Tirana e bukur e shqiptarëve, për të cilën do të punojmë të gjithë.
Faleminderit!
Blendi Sulaj
Ish-nënkryetar i Bashkisë”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






