

PRISHTINË – Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës është vënë në pikëpyetje pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj kandidaturës së përbashkët të Bekim Sejdiut.
Pavarësisht qëndrimit kundër të deputetëve, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja me partinë e Lumir Abdixhikut mbetet në fuqi. Megjithatë, sipas hulumtueses Donika Emini, konfigurimi aktual politik nuk është i mjaftueshëm për të siguruar mbështetjen e nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Emini, hulumtuese në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG), ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se vendimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos e mbështetur Sejdiun tregon se marrëveshja aktuale nuk siguron numrin e nevojshëm të deputetëve për zhvillimin e procesit.
LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja, sipas kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, ka aktualisht vetëm 12 deputetë që mbështesin kandidaturën e Sejdiut.
Edhe nëse kësaj mbështetjeje i shtohen votat e deputetëve të komuniteteve joserbe, numri nuk mjafton për të siguruar kuorumin e nevojshëm në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Ndërkohë, Kurti ka refuzuar prej kohësh mbështetjen e Listës Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe ka fituar nëntë mandate në zgjedhjet e qershorit.
Partia Demokratike e Kosovës ka 22 deputetë, ndërsa Aleanca ka shtatë.
Mundësia e zgjerimit të marrëveshjes
Sipas Donika Eminit, për ta bërë funksionale marrëveshjen aktuale, LVV-së dhe LDK-së do t’u duhet të sigurojnë mbështetjen e një tjetër force politike.
“Për ta bërë [marrëveshjen] funksionale, duhet të zgjerohet me një partner tjetër, qoftë Aleanca apo PDK-ja. Por, kjo do të ishte një konfigurim krejtësisht i ri politik dhe do të sillte edhe një sërë sfidash të reja”, ka deklaruar Emini.
Aleanca e Ardian Gjinit ka paraqitur prej muajsh gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për institucionet.
Ndërkohë, PDK-ja e Bedri Hamzës ka deklaruar se nuk do të bashkëpunojë me Kurtin, as për formimin e qeverisë dhe as për zgjedhjen e presidentit, duke bërë të ditur se gjatë këtij mandati do të qëndrojë në opozitë.
LDK-ja ka qenë e vetmja prej partive kryesore opozitare që ka pranuar të negociojë me Kurtin. Fillimisht, negociatat u zhvilluan për bashkëqeverisje, por procesi dështoi pas kërkesës së LDK-së për të pasur postin e presidentit.
Më pas, negociatat u përqendruan te zgjedhja e presidentit dhe më 31 gusht LVV-ja dhe LDK-ja njoftuan kandidatin e përbashkët, Bekim Sejdiun.
Vetëm një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesnin kandidaturën.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ky qëndrim rrezikon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Edhe Kurti e kritikoi ashpër vendimin e tyre, duke e cilësuar si “absurd”, “të dëmshëm” dhe “të papërgjegjshëm”, ndërsa i akuzoi deputetët se po kërkojnë zgjedhje të reja.
A po përgatitet Kurti për zgjedhje?
Sipas Eminit, deklarata e Kurtit se do të zhvillojë takime të tjera me Abdixhikun dhe kryesinë e LVV-së nuk do të thotë domosdoshmërisht se kryeministri po përgatitet për zgjedhje të reja.
Ajo e konsideron këtë një strategji që i jep Kurtit kohë dhe hapësirë për të negociuar.
“Ai mund të vazhdojë të negociojë me LDK-në, të presë nëse gjashtë deputetët ndryshojnë qëndrim, të shohë nëse Aleanca mund të jetë më fleksibile dhe, mbi të gjitha, të presë edhe zhvillimet në Hagë më 16 shtator”, ka deklaruar Emini.
Ajo i referohet vendimit që pritet të shpallet për rastin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Megjithatë, Emini paralajmëron se nëse nuk arrihet të përfshihet Aleanca ose PDK-ja në një marrëveshje për presidentin, koha e fituar mund të funksionojë edhe në favor të një skenari zgjedhor.
“Dështimi për të zgjedhur presidentin do ta shtynte vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor në një kohë që mund t’i përshtatet Kurtit shumë më tepër sesa kundërshtarëve të tij”, është shprehur ajo.
Çfarë kërkon Aleanca dhe cili është qëndrimi i PDK-së?
Sa i përket Aleancës, Emini vlerëson se ekziston hapësirë për fleksibilitet, veçanërisht pas gjashtë kushteve të paraqitura nga kjo parti në këmbim të mbështetjes.
Megjithatë, sipas saj, shtatë votat e Aleancës nuk mund të konsiderohen automatikisht të garantuara.
Në rastin e PDK-së, situata është më komplekse. Emini vlerëson se kjo parti nuk është domosdoshmërisht e interesuar për zgjedhje të reja, por po pret zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë.
Një vendim lirues për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili është njëkohësisht ish-drejtues i PDK-së, sipas Eminit, mund të hapte mundësinë për rikthimin e tij në politikë dhe të ndryshonte ndjeshëm balancat brenda PDK-së dhe në skenën politike kosovare.
Emri i Thaçit është propozuar për president nga ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka shprehur mbështetje për këtë kandidaturë, ndërsa sekretarja e përgjithshme e partisë, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Thaçi nuk ka nevojë për poste, por “për liri”.
Pikërisht për shkak të zhvillimeve në Hagë, Emini vlerëson se në këtë moment do të ishte e vështirë që PDK-ja të angazhohej në një marrëveshje të re politike me Kurtin.
“Pas vendimit, në varësi të asaj se çfarë ndodh dhe si ndikon kjo në PDK, mund të kemi një situatë krejtësisht tjetër dhe një diskutim tjetër politik”, ka deklaruar ajo.
Afatet kohore, një tjetër problem
Një prej faktorëve kryesorë në këtë situatë janë afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
Sipas Eminit, koha në dispozicion është e kufizuar dhe një marrëveshje e re politike do të ishte e vështirë për t’u arritur brenda pak ditësh.
“Afatet për zgjedhjen e presidentit janë shumë të ngushta dhe zgjerimi i një koalicioni, negocimi me një partner të ri dhe gjetja e një formule që mund të pranohet nga të gjithë nuk është diçka që mund të bëhet lehtë në pak ditë”, është shprehur ajo.
Afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit nis me konstituimin e Kuvendit. Procesi i konstituimit nisi më 6 gusht, por ende nuk është përmbyllur, pasi LVV-ja insiston që fillimisht të arrihet dakordësimi për zgjedhjen e presidentit.
Në këtë situatë, Emini vlerëson se Kurti ka arritur ta menaxhojë politikisht krizën e krijuar pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.
Sipas saj, kryeministri po ndërton një narrativë ku paraqitet si lider i gatshëm për kompromis dhe dialog, ndërsa përgjegjësinë për bllokimin institucional e vendos te kundërshtarët e marrëveshjes. Pse Kurti dhe Abdixhiku fajësojnë gjashtë deputetët?
Një pikë e përbashkët në deklaratat e Kurtit dhe Abdixhikut pas zhvillimeve të fundit është kritika ndaj gjashtë deputetëve të zgjedhur të LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen për presidentin.
Bëhet fjalë për Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin, Kujtim Shalën, Arben Gashin, Armend Zemajn dhe Janina Ymerin.
Deputetët kanë argumentuar se qëndrimi i tyre lidhet me kundërshtimin ndaj bashkëpunimit me LVV-në dhe asaj që e konsiderojnë si “zgjatje të pushtetit” të Kurtit.
Sipas Eminit, Kurti dhe Abdixhiku kanë arsye të ndryshme politike për ta zhvendosur përgjegjësinë te ky grup deputetësh.
Kurti, sipas saj, nuk po e fajëson drejtimin e LDK-së, pasi kjo e fundit mund t’i nevojitet për një marrëveshje të ardhshme, edhe në rast se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ndërsa për Abdixhikun, sipas Eminit, fajësimi i gjashtë deputetëve mund të shërbejë për të kufizuar përgjegjësinë politike për rezultatin e ardhshëm të LDK-së.
“Nëse partia e tij dështon, ai tashmë ka krijuar një narrativë ku fajin e mbajnë ata gjashtë deputetë që bllokuan marrëveshjen, ndërsa përgjegjësia politike për performancën e partisë zhvendoset tek ata. Në këtë kuptim, gjashtë deputetët mund të bëhen edhe një lloj ‘scapegoat’ [dash kurbani] për problemet më të gjera të LDK-së”, ka vlerësuar Emini.
Përplasjet brenda LDK-së
Sipas hulumtueses, kundërshtimi i gjashtë deputetëve nuk lidhet vetëm me kandidaturën e Bekim Sejdiut, por edhe me mënyrën se si janë zhvilluar negociatat për marrëveshjen.
Emini vlerëson se procesi nuk ka qenë mjaftueshëm transparent dhe se përplasjet brenda LDK-së kanë qenë të pranishme prej kohësh.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u përball me një mocion mosbesimi në korrik, të cilit i mbijetoi dhe vijoi të drejtonte partinë. Edhe më herët, ai kishte kërkuar votëbesim për të vazhduar në krye të LDK-së, pas rezultatit të zgjedhjeve.
Sipas Eminit, Abdixhiku mban përgjegjësinë kryesore për faktin se nuk ka arritur ta mbajë të bashkuar grupin parlamentar dhe të menaxhojë konfliktet e brendshme.
“Abdixhiku, si lider i partisë, mban përgjegjësinë kryesore për faktin që nuk ka arritur ta mbajë të bashkuar grupin e tij parlamentar dhe ta menaxhojë këtë konflikt brenda partisë. Ajo që po shohim sot është, mbi të gjitha, një krizë e lidershipit dhe e kohezionit të brendshëm të LDK-së, e cila tani po manifestohet përmes procesit presidencial”, ka deklaruar Emini.
Bekim Sejdiu, ende kandidati i LVV-së Në deklarimin e tij në orët e vona të 1 shtatorit, Albin Kurti ka insistuar se kandidati i LVV-së për president mbetet Bekim Sejdiu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-diplomat.
Sipas Eminit, këmbëngulja e Kurtit për Sejdiun është një lëvizje strategjike për ta ngritur kandidaturën përtej marrëveshjes mes dy partive.
Kurti e ka paraqitur Sejdiun si një “kandidat të Republikës” dhe jo thjesht si kandidat të një marrëveshjeje partiake.
“Në këtë mënyrë, ai e ngre kandidaturën mbi marrëveshjen LVV–LDK dhe e paraqet mbështetjen e tij si çështje të interesit institucional. Në mënyrë indirekte, kjo është edhe një kritikë ndaj mënyrës se si po sillet LDK-ja: nëse kandidati është i Republikës dhe nëse qëllimi është zhbllokimi i institucioneve, atëherë ata që e kundërshtojnë mund të paraqiten si ata që po e pengojnë këtë interes”, ka vlerësuar Emini.
Nëse partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit brenda afateve të përcaktuara, Kosova mund të përballet sërish me një proces zgjedhor.
Një skenar i tillë do të nënkuptonte zgjedhje të reja parlamentare në një periudhë të shkurtër kohore dhe do të thellonte krizën institucionale që ka shoqëruar politikën kosovare gjatë muajve të fundit.
Për momentin, negociatat dhe qëndrimet e partive kryesore mbeten vendimtare. Nëse LVV dhe LDK nuk arrijnë të sigurojnë mbështetje shtesë, zgjedhja e presidentit rrezikon të kthehet në pikën e re të përplasjes politike dhe potencialisht në shkak për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






