

GJIROKASTËR – Dy operacione të njëpasnjëshme kundër kontrabandës janë finalizuar nga Policia në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, brenda një harku kohor prej 24 orësh. Si rezultat, janë arrestuar dy persona të dyshuar për kontrabandë mallrash, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar automjetet e përdorura për transport, si dhe sasi të konsiderueshme produktesh.
Operacioni i parë, i koduar “Akciza 1”, u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Pikës Doganore Kakavijë.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë M. P., 48 vjeç, banues në Fier.
Ndërkohë, në operacionin e dytë, të koduar “Akciza 2”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e PKK Kakavijë, arrestuan A. P., 57 vjeç, banues në fshatin Bradashesh, Elbasan.
Gjatë kontrolleve të automjeteve me të cilat udhëtonin dy personat, Policia sekuestroi dhjetëra steka me cigare dhe puro, sasi duhani, medikamente, dhjetëra kilogramë kafe, pije alkoolike, materiale ndërtimi, produkte për mirëmbajtjen e automjeteve, si dhe paketime me produkte ushqimore.
Sipas Policisë, mallrat që i nënshtrohen akcizës, së bashku me produktet e tjera, dyshohet se ishin sjellë nga Greqia pa dokumentacionin tatimor përkatës, duke ngritur dyshime për kontrabandim.
Automjetet e përdorura për transportin e mallrave, si dhe produktet e sekuestruara, do t’i nënshtrohen procedurave të mëtejshme hetimore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për vijimin e veprimeve hetimore dhe procedurale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






