

TIRANË – Evis Sala ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas një viti në krye të dikasterit.
Largimi i saj është bërë i ditur gjatë mbledhjes së qeverisë, ndërsa në një mesazh të publikuar pas dorëheqjes, Sala ka sqaruar për herë të parë arsyet e vendimit.
Ajo ka bërë me dije se do të vijojë angazhimin e saj profesional në fushat e onkologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit, pas pranimit të disa angazhimeve ndërkombëtare.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji – inteligjencë artificiale – inovacion”, është shprehur Sala.
Sala mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë në shtator 2025, pas një karriere akademike dhe profesionale në institucione ndërkombëtare. Ajo është radiologe dhe ka punuar më herët në institucione të njohura, mes tyre Universiteti i Kembrixhit, Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork dhe Policlinico Gemelli në Romë.
Duke reflektuar mbi një vit në krye të ministrisë, Sala ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në sistemin shëndetësor, ndërsa disa prej projekteve kanë nisur dhe pritet të vijojnë edhe pas largimit të saj.
“Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi. Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur”, ka deklaruar ajo.
Në mesazhin e saj, Sala ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen gjatë kohës që drejtoi ministrinë, si dhe mjekët, infermierët dhe punonjësit e sistemit shëndetësor.
Falënderime ka pasur edhe për qytetarët, të cilët, sipas saj, gjatë kësaj periudhe i janë drejtuar me sugjerime, kërkesa dhe problematika.
Sala e ka cilësuar largimin nga posti ministror si një ndryshim në detyrën e saj profesionale dhe jo si përfundim të angazhimit për Shqipërinë.
“Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post”, shkruan ajo, duke theksuar se do të vijojë të kontribuojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit të saj profesional ndërkombëtar.
Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji – inteligjencë artificiale – inovacion.Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e… pic.twitter.com/6z4SMapNxv
— Evis Sala (@EvisSala) September 2, 2026
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






