

NJU JORK – Autoritetet e qytetit të Nju Jorkut kanë vendosur të kufizojnë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në shkollat publike, duke mos e lejuar përdorimin e saj nga nxënësit deri në klasat e para të arsimit të mesëm.
Sipas një burimi të njohur me çështjen, të cituar nga AFP, përdorimi i mjeteve të Inteligjencës Artificiale do të lejohet vetëm për nxënësit e shkollave të mesme dhe edhe atë në kushte të përcaktuara.
Teknologjia do të mund të përdoret në raste specifike, kryesisht për qëllime edukative që lidhen me njohjen dhe mësimin e vetë teknologjisë, si dhe në kuadër të programeve pilot.
Ndër masat e reja parashikohet edhe ndalimi i chatbot-eve që paraqiten si shoqërues virtualë dhe ofrojnë mbështetje psikologjike për nxënësit, sipas raportimeve të “New York Times”.
Një prej sfidave kryesore për zbatimin e këtyre kufizimeve mbetet kontrolli i përdorimit të Inteligjencës Artificiale jashtë ambienteve shkollore, veçanërisht në kushtet kur nxënësit mund të kenë akses në këto teknologji përmes pajisjeve personale dhe shërbimeve online.
Rregullat e reja nuk e ndalojnë përdorimin e Inteligjencës Artificiale nga mësuesit. Ata do të mund ta përdorin teknologjinë në funksion të punës së tyre, përfshirë përgatitjen e materialeve dhe mësimeve, si dhe hartimin e komunikimeve.
Vendimi vjen në një kohë kur shkollat në mbarë botën po përballen me sfidën e përcaktimit të mënyrës se si Inteligjenca Artificiale duhet të përdoret në procesin mësimor, duke balancuar përfitimet e teknologjisë me rreziqet e mundshme për nxënësit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






