

TIRANË – Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të mërkurë në orën 13:00 ministrat, zëvendësministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, përfshirë edhe deputetët e deleguar në territore.
Takimi do të zhvillohet në Vilën e Kuqe në Tiranë dhe pritet t’u kushtohet detyrave të përcaktuara nga kreu i qeverisë në mbledhjen e 28 gushtit.
Në atë takim u diskutua organizimi i punës dhe përcaktimi i kalendarit politik për sezonin e ri, ndërsa drejtuesit e strukturave pritet të marrin udhëzime të mëtejshme për hapat që do të ndiqen në terren.
Një prej çështjeve kryesore që pritet të trajtohet është shtrirja në të gjithë territorin e asaj që Partia Socialiste e quan “Prani Besnike”, me synimin për të forcuar kontaktin dhe komunikimin me qytetarët.
Në fokus do të jetë gjithashtu puna për ndryshimet ligjore që lidhen me platformën “PasqyrAlbania”.
Platforma u prezantua gjatë takimeve dyditore të zhvilluara me dyer të mbyllura në Pogradec, ku Rama kërkoi që problematikat e qytetarëve të kthehen në një prej pikave qendrore të punës politike dhe qeverisëse.
Mbledhja e sotme pritet të pasohet nga takime të tjera të strukturave të Partisë Socialiste gjatë ditëve në vijim, në kuadër të organizimit të axhendës politike për periudhën e ardhshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






