Transmetuar më 02-09-2026, 12:08

Ndryshe nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, e cila prej 1 shtatorit ka nisur zbatimin e rregullores së re për aksesin e medias, Apeli i GJKKO-së nuk ka vendosur të aplikojë të njëjtat kufizime ndaj gazetarëve.

Edhe pse të dyja gjykatat ndodhen në të njëjtën godinë, këtë të mërkurë gazetarët janë lejuar të hyjnë në ambientet e Apelit me telefonat celularë. Pajisjet do të mund të përdoren edhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Saida Dollani, u ka garantuar gazetarëve se rregullat e transparencës në këtë gjykatë nuk do të ndryshojnë dhe se rregullorja e re e miratuar nga GJKKO-ja e Shkallës së Parë nuk do të zbatohet nga Apeli.

Rregullat e transparencës tek ne nuk ndryshojnë. Nëse ju pengojnë të qëndroni në hollin tonë, më vini në dijeni”, u shpreh Dollani.

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë është kundërshtuar nga shoqatat e gazetarëve, të cilat e kanë cilësuar atë si kufizuese ndaj medias. Ndër masat e parashikuara janë kufizime për përdorimin e telefonave dhe pajisjeve regjistruese në sallat e gjyqit, si dhe për praninë e kamerave.

Çështja është ndjekur nga afër edhe nga OSBE, e cila ka bërë të ditur se është në komunikim me Gjykatën e Posaçme dhe po konsultohet edhe me palë të tjera të interesuara.

Vendimi i Apelit për të ruajtur rregullat aktuale të transparencës krijon një diferencë të dukshme në mënyrën e aksesit të medias mes dy niveleve të GJKKO-së.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit