Transmetuar më 02-09-2026, 08:26

KOSOVË – Një dokument me autorësi ende të pasqaruar publikisht, i përfshirë në aktakuzën për spiunazh ndaj Fatmir Shehollit, ka nxitur një debat të gjerë në Kosovë, duke e zhvendosur diskutimin përtej vetë procesit penal.

Përmbajtja e dokumentit është përdorur në rrjetet sociale për të ngritur pretendime mbi lidhje të mundshme mes institucioneve apo pjesëtarëve të komunitetit mysliman në Kosovë dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA). Megjithatë, deri tani nuk është bërë publike ndonjë provë që konfirmon autorësinë e dokumentit nga BIA.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) i ka mohuar këto pretendime dhe u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që të sqarojnë autenticitetin dhe prejardhjen e materialit.

Çfarë përmban dokumenti?

Materiali, i emërtuar “Top sekret 2”, është paraqitur nga Prokuroria Speciale si pjesë e provave në aktakuzën ndaj Shehollit. Sipas Prokurorisë, një fotografi e dokumentit është gjetur në telefonin e tij.

Në dokument pretendohet se fonde të mbledhura nga “ambasadat islamike” në Beograd do të përdoreshin për ndërtimin e xhamive në Kosovë. Sipas përmbajtjes së materialit, synimi do të ishte zgjerimi i ndikimit të islamit, përçarja e shqiptarëve, nxitja e emigrimit dhe ndryshimi i perceptimit të Perëndimit ndaj Kosovës.

Dokumenti pretendon gjithashtu se këto veprime do të krijonin rrethana që do t’i shërbenin synimit të Serbisë për rikthimin e Kosovës nën juridiksionin e saj.

Megjithatë, Prokuroria Speciale nuk ka bërë publike se mbi çfarë provash mbështetet autenticiteti apo autorësia e këtij materiali.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Prokurorisë Speciale për të pyetur nëse ekzistojnë prova mbi autorësinë dhe autenticitetin e dokumentit dhe çfarë peshe provuese i është dhënë atij në proces. Deri në publikimin e raportimit, nuk ka pasur përgjigje.

Sheholli akuzohet nga Prokuroria për bashkëpunim me BIA-n, por në aktakuzë Bashkësia Islame e Kosovës nuk akuzohet për bashkëpunim me shërbimin informativ serb.

Pretendimet në rrjetet sociale

Pas publikimit të pjesëve të aktakuzës në media, dokumenti ka nxitur një valë reagimesh në rrjetet sociale. Krahas diskutimeve pro dhe kundër, janë shfaqur edhe akuza dhe pretendime të drejtpërdrejta ndaj komunitetit mysliman në Kosovë.

Lëvizja për Rikthim, e cila deklaron se angazhohet për braktisjen e fesë islame dhe rikthimin në besimin katolik, ka pretenduar në një postim në Facebook se në xhamitë e Kosovës ka persona që bashkëpunojnë me BIA-n.

Përfaqësuesi i kësaj lëvizjeje, Arbër Gashi, ka konfirmuar se postimi përputhet me qëndrimin e saj, por nuk ka paraqitur prova të dokumentuara për të mbështetur pretendimet.

BIK kërkon zbardhjen e së vërtetës

Bashkësia Islame e Kosovës e ka cilësuar dokumentin si një “sajesë të hershme” dhe “pamflet ideologjik”, ndërsa ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë deri në fund prejardhjen dhe vërtetësinë e tij.

BIK mohon gjithashtu pretendimet se xhamitë në Kosovë janë ndërtuar jashtë procedurave ligjore apo përmes financimeve të paligjshme.

Sipas përfaqësuesve të saj, ndërtimi i xhamive është kryer përmes procedurave përkatëse dhe donacionet nga vende mike të Kosovës apo individë vendorë mund të verifikohen nga institucionet shtetërore.

Kreu i BIK-ut, Naim Tërnava, ka kërkuar nga autoritetet që të hetojnë autenticitetin e dokumentit, duke argumentuar se publikimi i materialeve të aktakuzës ka krijuar një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe zbardhje të plotë të së vërtetës.

Shqetësim për publikimin e materialeve të aktakuzës

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ngritur shqetësime për mënyrën se si materialet e aktakuzës kanë përfunduar në publik.

Drejtori ekzekutiv i institutit, Ehat Miftaraj, e ka cilësuar publikimin e materialeve si të papërgjegjshëm ose si pasojë të një lëshimi, duke theksuar se provat e paraqitura nga Prokuroria duhet të konsiderohen si të pretenduara deri në shqyrtimin e tyre nga gjykata.

Sipas tij, publikimi i dokumentit “Top sekret 2” ka nxitur interpretime dhe ndarje mbi baza fetare, ndërsa mungesa e një sqarimi institucional mbi origjinën dhe autenticitetin e materialit krijon hapësirë për keqinterpretime.

Paralajmërime për polarizim fetar

Sociologu Fadil Maloku ka paralajmëruar për rrezikun që një përgjegjësi eventuale individuale të shndërrohet në fajësim kolektiv ndaj një komuniteti fetar.

Sipas tij, debatet e krijuara rreth dokumentit mund të thellojnë polarizimin ndërfetar, pavarësisht se kush rezulton të jetë autori i materialit.

Edhe Mentor Vrajolli, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka kërkuar që debati të përqendrohet te individët dhe faktet e hetuara nga institucionet, dhe jo te komunitetet fetare në tërësi.

Ai ka vlerësuar se çdo zhvillim që dëmton kohezionin shoqëror në Kosovë mund të ketë pasoja në aspektin e sigurisë dhe mund t’u shërbejë interesave të aktorëve që synojnë destabilizimin e vendit.

Pyetjet që ende presin përgjigje

Një material me përmbajtje të ngjashme ishte bërë publik edhe në vitin 2024, kur në një televizion vendor u raportua për një plan të pretenduar të shërbimit informativ serb lidhur me financimin e xhamive në Kosovë. Edhe atëherë pretendimet u mohuan nga drejtuesit e BIK-ut.

Debati i rikthyer këtë vit ka nxjerrë në pah disa pyetje që ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare: Kush e ka hartuar dokumentin “Top sekret 2”? A është autentik? Kur është krijuar dhe në çfarë rrethanash? Dhe çfarë peshe ka realisht si provë në procesin penal ndaj Fatmir Shehollit?

Deri në një sqarim institucional dhe një vlerësim përfundimtar nga gjykata, pretendimet që burojnë nga ky dokument duhet të trajtohen si të pakonfirmuara dhe jo si fakte të vërtetuara.

Kosova është shtet laik dhe, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, 93.49% e qytetarëve u deklaruan myslimanë, 2.31% ortodoksë dhe 1.75% katolikë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit