

Korrupsioni vijon të shihet si pengesa kryesore për zbatimin e reformave ekonomike dhe sociale në Shqipëri, ndërsa për sektorin privat, krahas korrupsionit, një nga shqetësimet më të mëdha është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Të dhënat vijnë nga raporti “FY 2026 Albania Country Opinion Survey Report” i Bankës Botërore, i cili pasqyron perceptimet e aktorëve të ndryshëm në vend mbi sfidat e zhvillimit dhe rolin e Grupit të Bankës Botërore. Në anketë morën pjesë 219 përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe shoqërisë civile, të pyetur gjatë pranverës së këtij viti.
Korrupsioni kryeson listën e pengesave për reformat
Sipas rezultateve të anketës, 56% e të pyeturve e rendisin korrupsionin ndër faktorët kryesorë që bëjnë që reformat ekonomike dhe sociale të dështojnë ose të ecin me ritme të ngadalta.
Në vendin e dytë renditet kapaciteti i pamjaftueshëm i qeverisë, i përmendur nga 35% e të anketuarve. Më pas vijnë mungesa e llogaridhënies së qeverisë, me 34%, dhe presionet apo pengesat politike, me 33%.
Ndërkohë, 26% e të anketuarve përmendin pjesëmarrjen e pamjaftueshme të qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa 25% mendojnë se reformat nuk janë hartuar mjaftueshëm në përputhje me problemet konkrete të vendit.
Mungesa e punonjësve të kualifikuar dhe korrupsioni, sfidat kryesore për biznesin
Korrupsioni nuk perceptohet vetëm si pengesë për reformat, por edhe si një prej problemeve kryesore për zhvillimin e sektorit privat.
Kur u pyetën për sfidat më të mëdha me të cilat përballen bizneset në Shqipëri, 52% e të anketuarve përmendën mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, ndërsa po 52% renditën korrupsionin.
Në vendin e tretë renditet mjedisi rregullator, me 47%, ndërsa 39% evidentojnë vështirësitë në aksesin në financim.
Madhësia e tregut dhe kërkesa përbëjnë shqetësim për 29% të të anketuarve. Ndërkohë, 19% përmendin paqëndrueshmërinë politike dhe 18% mangësitë në infrastrukturë, përfshirë energjinë dhe transportin.
Të dhënat nxjerrin në pah një kombinim problemesh institucionale dhe të kapitalit njerëzor, me bizneset që përballen gjithnjë e më shumë me vështirësi për të gjetur punonjës me aftësitë e kërkuara.
Bujqësia dhe arsimi, në fokusin e zhvillimit
Anketa ka identifikuar gjithashtu fushat ku Banka Botërore duhet të përqendrojë më shumë mbështetjen për të pasur ndikim në zhvillimin e Shqipërisë.
Bujqësia dhe siguria ushqimore renditen në krye, të përzgjedhura nga 49% e të anketuarve. Menjëherë pas tyre vjen arsimi, me 47%.
Shëndetësia është përmendur nga 36%, ndërsa vendet e punës nga 34%. Zhvillimi i infrastrukturës digjitale është prioritet për 32% të të pyeturve.
Infrastruktura e transportit dhe menaxhimi i mjedisit dhe burimeve natyrore marrin nga 29%, ndërsa zhvillimi i sektorit privat përmendet nga 28%.
Turizmi shihet si sektori me potencialin më të madh për punësim
Turizmi renditet si sektori me potencialin më të madh për krijimin e vendeve të reja të punës. Megjithatë, të anketuarit theksojnë nevojën për të reduktuar varësinë nga turizmi masiv gjatë sezonit veror dhe për ta diversifikuar ofertën.
Agroturizmi, turizmi kulturor, historik dhe ai i aventurës shihen si mundësi për të krijuar punësim më të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.
Pas turizmit renditen bujqësia dhe agro-përpunimi, veçanërisht aktivitetet me vlerë të shtuar, si përpunimi, eksportet organike, magazinimi frigoriferik dhe paketimi.
Edhe teknologjia e informacionit dhe shërbimet digjitale konsiderohen sektorë me potencial të lartë për punësim të kualifikuar dhe rritje të orientuar drejt eksporteve.
Energjia e rinovueshme, infrastruktura e gjelbër, ndërtimi, infrastruktura dhe industria e lehtë përmenden gjithashtu si sektorë që mund të krijojnë vende pune, veçanërisht jashtë Tiranës.
Kërkohet më shumë fokus te rezultatet konkrete
Një prej kërkesave më të shpeshta të të anketuarve ndaj Bankës Botërore lidhet me nevojën për më shumë fokus te zbatimi i reformave dhe rezultatet e matshme.
Sipas perceptimit të të anketuarve, problemi kryesor nuk qëndron vetëm në hartimin e politikave, por në kthimin e tyre në rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset.
Ata kërkojnë gjithashtu forcimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore, më shumë asistencë teknike afatgjatë dhe një angazhim më të gjerë me sektorin privat, pushtetin vendor, shoqërinë civile dhe universitetet.
Raporti rekomandon që financimi të lidhet në një masë më të madhe me tregues të matshëm, si përmirësimi i shërbimeve publike, reduktimi i kohës së procedurave dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






