

TIRANË – Shqipëria ka shprehur solidaritetin me Gjermaninë pas incidentit të raportuar në aeroportin Leipzig/Halle, ku një dron i pajisur me lëndë shpërthyese dyshohet se ishte përfshirë në një operacion që autoritetet gjermane e lidhin me kërcënimet hibride ruse.
Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale, duke e cilësuar ngjarjen si një akt agresioni ndaj Gjermanisë dhe sigurisë europiane. Rama deklaroi se Shqipëria qëndron në krah të Gjermanisë, Ukrainës dhe aleatëve të NATO-s.
“Një dron që transportonte eksplozivë në Aeroportin e Leipzig/Halle nuk është një zonë gri. Është një akt agresioni rus kundër Gjermanisë dhe kundër sigurisë së Evropës”, shkroi Rama, duke shprehur gjithashtu solidaritetin me kancelarin Friedrich Merz dhe qeverinë gjermane.
Kryeministri shqiptar theksoi se, sipas tij, përgjigjja ndaj kërcënimeve hibride duhet të jetë e qartë dhe e koordinuar mes vendeve aleate.
Rutte: NATO në solidaritet me Gjermaninë
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Ai deklaroi se aleanca qëndron në solidaritet me Gjermaninë pas incidentit të 14 gushtit në Leipzig, të cilin e ka përshkruar si pjesë të një sulmi hibrid të lidhur me Rusinë.
Rutte bëri të ditur se kishte komunikuar me kancelarin gjerman Friedrich Merz për zhvillimet dhe masat e ndërmarra nga autoritetet gjermane.
Sipas tij, NATO do të vazhdojë të forcojë kapacitetet për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride dhe veprimeve armiqësore ndaj vendeve anëtare.
Hetimet në Gjermani
Autoritetet gjermane po hetojnë incidentin në aeroportin Leipzig/Halle, ndërsa raportimet e mediave kanë ngritur dyshime se tentativa ishte më serioze nga sa ishte bërë e ditur fillimisht.
Sipas këtyre raportimeve, një prej dronëve dyshohet se transportonte lëndë shpërthyese dhe hetimet po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së disa mjeteve ajrore pa pilot.
Në një tjetër zhvillim, media gjermane ka raportuar për zbulimin e armëve të fshehura pranë Berlinit. Sipas vlerësimeve të shërbimit gjerman të inteligjencës së brendshme, BfV, armët mund të kenë qenë të destinuara për persona të lidhur me spiunazhin rus dhe për operacione të mundshme të dhunshme.
Deri tani, Rusia nuk ka dhënë një reagim zyrtar për këto akuza. Moska ka mohuar më herët përfshirjen në raste sabotimi, spiunazhi apo operacione të dhunshme në vendet perëndimore.
Zhvillimet në Leipzig janë pjesë e një debati më të gjerë brenda Gjermanisë dhe NATO-s mbi kërcënimet hibride, sabotazhin dhe sigurinë e infrastrukturës kritike europiane.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






