

Ministria e Arsimit ka ndryshuar kriteret për organizimin e klasave dhe përcaktimin e ngarkesës mësimore për punonjësit e arsimit parauniversitar. Ndryshimet janë përcaktuar në udhëzimin nr. 16, datë 27 gusht 2026, që ndërhyn në rregullat e miratuara në vitin 2023.
Një prej ndryshimeve lidhet me numrin e nxënësve që përcakton organizimin dhe drejtimin e shkollave. Në disa prej dispozitave, pragu prej 80 nxënësish është ulur në 60, ndërsa në raste të tjera kufiri prej 81 nxënësish është ndryshuar në 61.
Ndryshime janë bërë edhe në organizimin e klasave. Sipas përcaktimeve të reja, kur numri i nxënësve për një klasë është 21 deri në 30, parashikohen tre klasa, ndërsa është shtuar edhe kategoria për katër klasa kur numri i nxënësve për klasë shkon nga 31 deri në 50.
Udhëzimi përcakton gjithashtu një normë të veçantë për mësuesit e lëndës “Edukim fizik dhe sporte”, e cila do të jetë 21 orë mësimore në javë. Në rregullat e reja përfshihen edhe mësuesit e artit pamor dhe edukimit muzikor.
Ndryshime ka edhe për drejtuesit e shkollave me profil të arsimit fillor. Drejtori ose nëndrejtori nuk do të kufizohet vetëm te orët që përputhen me profilin e diplomës, por mund ta plotësojë normën javore edhe me orë të përcaktuara në pjesë të tjera të udhëzimit.
Rregulla të reja janë përcaktuar edhe për drejtuesit e shkollave artistike. Drejtorët e institucioneve me 61 deri në 200 nxënës do të kenë një ngarkesë prej 6 orësh mësimore në javë, ndërsa për shkollat me 201 deri në 600 nxënës ngarkesa do të jetë 4 orë në javë.
Në degën e Baletit janë specifikuar edhe lëndët që përfshihen në program, ndërsa për specialitetin “Futboll” lënda “Formim Praktik Profesional” do të organizohet në grupet “Lojtarët” dhe “Portierët”. Grupi i portierëve duhet të ketë të paktën 6 nxënës të të njëjtit nivel arsimor.
Udhëzimi prek edhe mësuesit që mbajnë funksione të tjera brenda shkollës. Kryetarit të ekipit lëndor i ulet norma me 2 orë në javë. Për koordinatorin e sigurimit të cilësisë përcaktohet një ngarkesë prej 6 deri në 10 orë, ndërsa koordinatori i këshillimit të karrierës do të ketë 8 deri në 12 orë mësimore në javë.
Ndryshime ka edhe për programin “Pas Shkolle”. Drejtori ose nëndrejtori përgjegjës për organizimin dhe monitorimin e tij do të përfitojë ulje të normës mësimore me 2 orë në javë kur shkolla ka deri në 4 grupe ose klube, dhe me 4 orë kur numri i tyre është mbi 4.
Ndryshimet e reja synojnë të rregullojnë organizimin e institucioneve parauniversitare dhe shpërndarjen e ngarkesës mësimore, duke përshtatur kriteret sipas numrit të nxënësve, profileve arsimore dhe funksioneve që ushtrojnë punonjësit në shkolla.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






